Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, theksoi se reformat e ndërmarra në sistemin e drejtësisë kanë në fokus rritjen e eficencës së sistemit dhe lehtësimin e procedurave për qytetarët. Ministri Halimi prezantoi nismat më të fundit të dikasterit të tij, disa ndryshime ligjore ne “Kodin e Procedurës Civile” dhe “Kodin Civil”, si pjesë e rëndësishme e reformës në drejtësi, gjatë një takimi që zhvilloi me grupet e interesit. Duke prezantuar paketën e re ligjore, ministri Halimi tha se vijmë sot me një paktë, e cila ka në fokus eficencën e sistemit gjyqësor dhe lehtësimin e procedurave për qytetarët. “Sot prezantojmë paketën e ligjeve që shkojnë në favor të interesit të qytetarëve dhe sistemit bankar, sistem që është jetik në kohët që jetojmë, në kushtet kur kërkohen imunitete ndaj krizës ekonomike dhe një rritje e qëndrueshme ekonomike dhe nuk ka kohë për të humbur për shkak të procedurave të tejzgjatura që zhvillohen në sistemin gjyqësor”, tha Halimi. Duke dhënë detaje të reformës, ministri Halimi tha se kemi një paktë ligjore, e cila ka të bëjë me heqjen e trajtimit të trashëgimisë nga gjykatat dhe kalimin e procesit tek noterët, duke eliminuar procedurat gjyqësore për çështjet e trashëgimisë si dhe ulur kostot për qytetarët. Nderkohë, reforma parashikon dhe lehtesimin e procedurave per urdhërat e ekzekutimit, krijimin e një portali unik per aksesin online në hipotekë, regjistrin e përmbaruesve, etj.