Tiranë | Zhvillohen homazhet për komisar Skurën, “Dëshmor i Atdheut”

I jepet lamtumira shefit të krimeve të Burrelit, Musa Skura i cili ndërroi jetë 3 ditë më parë në një spital të Foggias në Itali. Homazhet janë zhvilluar në hollin kryesor të Shtëpisë Qëndrore të Ushtrisë ku përvec familjarëve e të afërmve, kanë nderuar figurën e Skurës edhe autoritete shtetërore e ushtarake. Homazhe kanë zhvilluar, kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kryetari i PS-së Edi Rama, kreu i LSI-së Ilir Meta, kreu i FRD-së Bamir Topi, kreu i bashkisë Lulzim Basha, ministri i mbrojtjes Arben Imami, Avokati i Popullit Igli Totozani, drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Hysni Burgaj dhe zyrtarë të lartë të policisë. Kreu i PS-së, Edi Rama, pas homazheve për komisar Musa Skurën ka deklaruar se dita kur policia do të marrë dinjitetin e humbur dhe krimi do të sprapset është shumë e afërt. “Fatkeqësisht pasi erdhëm këtu para pak kohësh për ti dhënë lamtumirën një komisari kurajoz, sot jemi për lamtumirën e një tjetër komisari, janë dëshmor në një luftë me krimin që ka fituar një epërsi të frikshme, në kushtet kur fatkeqësisht policia është tradhtuar, braktisur dhe po rrënohet dita ditës në një drejtim tërësisht të padenjë, duke ngushëlluar këto familje, gra, fëmijë që i shtohet vijimësisht numrit të familjeve të grave e fëmijëve të këtyre dëshmorëve në një betejë rraskapitëse me krimin dëshiroj që në nderim të kujtimit të këtij komisari dhe të atyre që kanë dhënë jetën të angazhohem solemnisht se dita e një përballjeje kur krimi do të sprapset është e afërt” tha Rama. Ndërsa kreu i LSI-së Ilir Meta theksoi se do të kërkojë ashpërsim të kodit penal në mënyrë që autorët e vrasjeve të policëve të dënohen me burgim të përjetshëm. Kryeministri Berisha nga ana e tij pasi vlerësoi figurën e komisar Musa Skurës theksoi se qeveria do të mbështesë gjithmonë efektivat e policisë në përballjen e tyre me krimin. “Shpreh ngushëllime dhe solidaritetin e qeverisë shqiptare, familjes së komisarit Musa Skura që ra në krye të detyrës në përballje me fallangat e krimit. Shpreh ngushëllimet e mia per efektivët e Policisë së Shtetit për këtë humbje të madhe, komisar Skura ishte njëri nga komisarët më të shkëlqyer, trima, të vendosur të policisë së shtetit. Ai ishte qytetar shembullor, prind i shkëlqyer dhe në rënien e tij në krye të detyrës la një boshllëk të madh. Erdha për të shprehur mbështetjen më të plotë ndaj efektivëve në luftës së tyre me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe çdo lloji tjetër. Shembulli, sakrifica sublime e Skurës, burrëria e tij, guximi i madh do të jenë frymëzim, sikundër dhe qindra shokëve të tjerë të tij që ranë për t’u bërë të pavdekshëm për të garantuar jetën, pronën, rendin dhe qetësinë, për efektivët e policisë për të konsoliduar rendin dhe sigurinë” tha Berisha. Ai ka deklaruar se qeveria është e gatshme të ndërmarrë çdo lloj hapi ligjor brenda kuadrit demokratik kushtetues. “Çdo lloj hapi ligjor të nevojshëm brenda kuadrit demokratik kushtetues qeveria është e gatshme të marrë, por nga ana tjetër drejtësia në të dy rastet e dhimbshme po vepron e do veprojë vendosmërisht” tha kryeministri. Edhe kreu i FRD-së Bamir Topi ka qënë në një linjë me politikanët e tjerë, kur është shprehur se masat ndëshkuese ndaj atyre që godasin uniformën e policisë duhet të rriten. Pas ceremonisë komisar Musa Skura do të përcillet në Varrezat e Dëshmorëve, që do jetë edhe banesa e tij e fundit. Ceremonia e varrimit do të zhvillohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.

Advertisement