Ministri i Brendshëm Flamur Noka ka vizituar sot familjen e komisarit të Matit të rënë në krye të detyrës, Musa Skura. Duke premtuar ndihmë e mbështetje për familjen, Noka nënvizoi se Skura është shpallur Dëshmor i Atdheut. Sot, në kryesinë e Ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, Komisioni Qendror për Statusin “Dëshmor i Atdheut”, i mbledhur me një vendim të posaçëm, ka shpallur “Dëshmor i Atdheut” Komisarin e Policisë së Shtetit, Musa Bajram Skura. “Ju shpreh ngushëllimet e kryeministrit Berisha. Shteti do të ndihmojë familjen dhe fëmijët. Musa Skura është shpallur Dëshmor i Atdheut, ndërsa homazhet për të do zhvillohen nesër te Shtëpia Qendrore e Ushtrisë në Tiranë”. “Musa Skura është një hero i drejtësisë. Ai meriton të nderohet në mënyrën më të mirë dhe për këtë banesa e tij e fundit do të jetë pranë heronjve të tjerë, në Varrezat e Dëshmorëve, këtë ia bëra të ditur edhe familjes, e cila, që prej ditës së djeshme ka hapur dyert e mortit dhe po vuan humbjen e të dashurit të tyre”, u shpreh Noka. Pritet që trupi i Skurës të mbërrijë nesër nga Italia, në Durrës dhe pas ceremonisë në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë në Tiranë do të përcillet në varrezat e dëshmorëve. Ceremonia e varrimit do të zhvillohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Më herët qeveria vendosi të miratojë ndihmën financiare prej 5 milionë lekësh për familjen e Musa Skurës. Sipas vendimt të qeverisë, “Ky fond përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit”.

Advertisement