Duke folur në mbledhjen e qeverisë kryeministri u shpreh se “kjo grevë u mbështet vetëm nga politikanët që ndajnë trafiqet me grevistët”. Kryeministri Berisha gjithashtu akuzoi kreun e opozitës si organizator të grevës së urisë. “Kjo ishte një grevë e paguar, e shoqëruar me akte të mirëfillta terroriste. Megjithëse nuk u përdor dinamit u përdor benzinë nga një njeri me probleme serioze mendore, i cili ka tentuar të vetëvritet, por nuk ka kryer vetëvrasje. Kjo grevë ishte e paguar nga Edi Rama, i cili bënte vizita natën dhe i furnizonte me ushqime nga klubi ngjitur. Të gjitha ishin të përgatitura për të marrë këtë karrige, në të cilën nuk do të ulet kurrë”, tha Berisha. Kreu i qeverisë vlerësoi edhe qëndrimin e ish- të burgosurve politikë të tjerë, të cilët, sipas tij, “me mençuri dhe me fisnikëri të madhe përcollën me përçmim grevën e paguar të një grupi të vogël, i cili në thelb përfaqësonte botën e krimit”. “Greva ishte një shoë, përfshi edhe aktet terroriste në emër të një pushteti që nuk mund të kthehet me metoda të tilla. Unë garantoj shqiptarët se mbetem i ndjeshëm ndaj çdo rënkimi të tyre dhe kam vetëdije të plotë se këto janë të panumërta, sikundër mbetem i hapur për një dialog me qytetarët në interesin më të mirë për zgjidhjen e problemit”, tha Berisha. “Garantoj qytetarët se jam i hapur për dialog konstant për zgjidhjen e problemit. Ajo që u zhvillua në studion e Kristaq Ramës ishte një parodi e shëmtuar që s’kishte të bënte me kërkesat e ish të-përndjekurve dhe ish-të burgosurve politikë. Ajo ishte larg tyre, kishte një distancë me vite e vite, pikërisht në këtë qëndron arsyeja që atë e përkrahën politikanë që ndajnë trafiqet me ta dhe pati zero përkrahje nga shtresa e madhe e të përndjekurve. Ishte një akt i shëmtuar, një grevë e paguar dhe e shoqëruar me akte të mirëfillta terroriste, u përdor benzina”, deklaroi Berisha. Madje, kjo grevë dhe aktet që shoqëruan atë, sipas Kryeministrit, ndodhën në një moment të rëndësishëm historik për vendin, duke u munduar që të pengojnë progresin e vendit. “Duhej t’i vinin zjarrin ditën që KE do të rekomandonte statusin. Nuk kishte akt më të shëmtuar. Ora e Bushit u tejkalua me jetë njerëzore, që do digjeshin të gjalla vetëm e vetëm për t’u penguar shqiptarëve një akt të merituar nga Brukseli. Organizatorët e grevës përzgjodhën figura të inkriminuara. Trafikanti Bejko, që vendosi të bëhej hero, ishte ndaluar me 30 kg drogë. Nëntë vjet kishte kërkuar organi i akuzës, e liruan Tabakët e KLD-së me ndërhyrje të fortë. Është në dinjitetin më të madh të mijëra e mijëra të përndjekurve politikë e familjarëve të tyre që qoftë dhe për një minutë të vetme nuk u dezorientuan, por qenë të parët që kuptuan se gjithçka ishte e organizuar për llogari të pushtetit të Edi Ramës”, nënvizoi Kryeministri Berisha. Në mbledhjen e qeverisë kryeministri kërkoi gjithastu dënim të përjetshëm për autorët e krimit në familje, vrasësit e policëve dhe vrasësit për hakmarrje. Duke folur mbi nënshkrimin e konventës së të drejtave të grave dhe fëmijëve, Kryeministri theksoi se “le të na frymëzojë kjo konvetë për të përcaktuar shkallën më të lartë në Kodin tonë Penal për të gjithë ata, të cilët ngrejë haxharin e krimit ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tyre, gjë e cila ka qënë absolutisht gjëja më e rrallë që mund të ndodhë dhe për fat të keq sot nuk është më e tillë”. Prandaj, vijoi kreu i qeverisë, “krahas ratifikimit të kësaj konvente le të ndërmarrim ne edhe nismat për tre vepra penale për vrasjet”. “Vrasja e policëve duhet të shoqërohet me konfiskimin e pasurisë dhe në dy raste të tjera hakmarrja dhe vrasja e bashkëshortes, vajzës, duhet të kenë dënim për jetë. Shpresoj që opozita do t’i votojë ato dhe vendosim një qëndrim të shoqërisë shqiptare, e cila me shumë të drejtë i përjeton me tronditje të thellë çdo krim, por krime më të shëmtuara se këto nuk ka”, tha Berisha.  

Advertisement