Kryetari i PS-së, Edi Rama e konsideroi një vendim inkurajues rekomandimin e Komisionit Europian për dhënien e statusit të kandidatit Shqipërisë, ndërsa përsëriti angazhimin e opozitës për të kontribuar në plotësimin e reformave të mbetura. “Ky është një vendim inkurajues në favor të Shqipërisë në rrugën drejt kandidimit dhe një mbështetje e pakursyer në gjithë këtë proces të vështirë dhe të vështirësuar jo për arsye objektive, por për shkak të subjektivitetit”, u shpreh Rama gjatë konferencës për shtyp me ambasadorin Sequi. “Dhjetori, vijoi Rama, është një stacion shumë i rëndësishëm dhe ne vetë presim prova të qarta nga qeveria që ka vullnet, nga njëra anë për të përmbyllur atë që Komisioneri Fyle në mënyrë të përsëritur e quan ‘paketa e nëntorit të shkuar’ dhe nga ana tjetër për t’i hapur rrugë konkretisht asaj, që në raport konsiderohet një bazë e ligjshmërisë, dhe për ne kjo do të thotë zbatim i vendimit të gykatave lidhur me qarkun e Fierit”. Rama theksoi se çështja e këtij qarku, në këndvështrimin e PS-së nuk përbën një kusht si çështje, por një kërkesë legjitime të opozitës dhe një simbolikë shumë të fortë e që lidhet me morespektimin e vendimit të gjykatave. Ai përsëriti angazhimin e plotë të PS-së për të vijuar të kontribuojë në procesin e integrimit, duke pasur parasysh perspektivën europiane të Shqipërisë dhe jo llogaritë e politikës së ditës. “Ne jemi të interesuar të japim kontributin tonë, pavarësisht se ajo që duhet të shikojmë nuk është vetëm procesi në letër, por jeta e përditshme e shqiptarëve, ku duhet të reflektohet ligjshmëria”, theksoi Rama. Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, nga ana e tij shprehu nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit mes forcave politike për përmbushjen e reformave. Sequi shprehu vlerësimin “për rolin dhe meritat e plota që i përkasin opozitës dhe të gjithë ato elementë që na kanë sjellë deri këtu. Fryma e kompromisit, konsensusi dhe dialogu duhet të vazhdojnë dhe në të ardhmen për të arritur rezultate, si deri tani”. Lidhur me çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë, pasi të jetë pranuar dhe rekomandimi i Komisionit për dhënien e statusit të BE-së, Sequi tha se kjo ka të bëjë me zgjedhjet e ardhshme. Ambasadori tha se në takimin me kreun e PS-së bisedoi dhe për zbatimin e reformave të paplotësuara, si ligji “Për Gjykatën e Lartë”, ligji i “nëpunësit civil” dhe i “administratës publike”, si dhe reforma parlamentare.