Tiranë | Sequi-Totozani: të respektohen të drejtat e personave me aftësi të kufizuar

alt

Sequi në fjalën e tij, theksoi faktin se aksesi në shërbime është një e drejtë themelore e personave me aftësi të kufizuar. “BE ka financuar një sërë projektesh për kategorinë e personave me aftësi të kufizuar”, bëri të ditur ai, ndërsa shtoi se “Shqipëria si vend aspirant në Bashkimin Europian duhet të respektojë të drejtat e PAK”. Gjatë fjalës së tij, Avokati i Popullit, Igli Totozani, u shpreh se personat me aftësi të kufizuara dhe të drejtat e tyre, përbëjnë një nga misionet më të rëndësishme të institucionit të Avokatit të Popullit. Ato, theksoi ai, “janë pjesë e rekomandimit 11, të përcaktuar nga BE për Shqipërinë, dhe në këtë kontekst por jo vetëm, zhvillimet në legjislacionin dhe politikat për personat me aftësi të kufizuara, si dhe zbatimi i tyre, kanë qenë objekt i diskutimeve, vlerësimeve dhe rekomandimeve të institucionit të Avokatit të Popullit”. “Personat me aftësi të kufizuar, shtoi Totozani, mbeten ndër shtresat më të margjinalizuara në shoqërinë shqiptare, duke iu mohuar aksesi. Ata kanë pak shpresë për të shkuar në shkollë, për të gjetur një punë, për të patur shtëpinë e tyre, për të krijuar familjen e tyre dhe për të pasur fëmijët e tyre, për të shijuar një jetë sociale, apo edhe për të votuar”. Ai vuri në dukje se “për shumicën dërrmuese të personave me aftësi të kufizuar, dyqanet, lehtësirat publike dhe ato të transportit, por edhe informacioni, janë përgjithësisht shumë të vështira për t’u aksesuar”. Në konferencën e organizuar nga institucioni i Avokatit të Popullit dhe Këshilli Kombëtar i Personave me Aftësi të Kufizuar, ishin pjesëmarrës dhe zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj, organizata të shoqërisë civile, përfaqësues të OSBE, PNUD, UNICEF, etj.