Duke marrë fjalën në punimet e Forumit të III-të të Investimeve të Huaja, organizuar nga AIDA dhe IDB, ministri Bode iu referua shifrave krahasuese me ekonomitë e vendeve të rajonit, duke theksuar se ato dëshmojnë qartë ecurinë pozitive ekonomike të vendit. “Ndër treguesit e performancës ekonomike gjatë këtyre viteve është rritja ekonomike mesatare, e cila në tre vitet e fundit, 2009-2011, ka qënë sistematikisht pozitive me tregues, 3.3%, ndërkohë që në vendet e rajonit ka qënë e ulët dhe për vendet e BE-së negative. Kjo rritje ekonomike nuk është nxitur nga politikat inflacioniste, por nga politikat e kujdesshme e të përshtatshme për kushtet e vendit, duke bërë të mundur evitimin e një recesioni ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të tij, si një prej aseteve më të vyera”, tha ministri i Financave. Sipas tij inflacioni në Shqipëri ka qënë në nivele optimale, me tregues prej 3.1%. ndërsa borxhi publik paraqitet në nivelet e tij normale, duke qëndruar brenda objektivit të përcaktuar. Bode tha se të ardhurat e buxhetit të shtetit kanë njohur stabilitet krahasuar me vendet e rajonit duke u rritur me 4.4%.