Tiranë | Sequi: do të diskutojmë për vlera të rëndësishme për ju dhe për BE-në

alt

Gjatë një konference për mediat, Ambasadori Sequi tha se me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë është vendosur që të mos ketë një javë për Evropën, por një muaj të tërë, që do të shoqërohet me aktivitete të shumta. “Gjatë muajit maj do të konsultojmë dhe do të diskutojmë për disa vlera që janë të rëndësishme për ju dhe për BE-në. Ajo që kërkojmë të bëjmë është jo të krijojmë koalicion mes shtetesh, por të bashkojmë njerëzit”, tha Sequi. Muaji i Evropës organizohet në bashkëpunim me ambasadat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Tiranë, ndërkohë që përfshin veprimtari kulturore, sociale dhe politike, të cila përqëndrohen kryesisht në historinë dhe vlerat kulturore të BE-së, marrëdhënien e BE-së me Shqipërinë, si dhe zhvillimet e fundit në Evropë dhe Shqipëri. Ambasadori Sequi tha se në kuadër të këtij muaji do të zhvillohen një sërë aktivitetesh. Një prej tyre është edhe hapja e Qendrës së Informacionit për Biznesin, që, sipas tij, tregon sesa e rëndësishme është për BE rritja ekonomike. Sequi përmendi dhe një sërë aktivitetesh të tjera, që do të vijojnë përgjatë muajit maj. E pranishme në këtë ceremoni, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, tha se “unë besoj se ky muaj i aktiviteteve, që nis nesër, nuk do të mbarojë në datën 31 maj, por në pjesën e zhvillimeve të qeverisë shqiptare dhe institucioneve të tjera do të jetë një vit më i gjatë për të plotësuar detyrimet ndaj Evropës”. Bregu, ndërsa uroi një muaj të mbarë të Evropës, por dhe “duke shpresuar një vit të mbarë për Shqipërinë në Evropë”, ftoi qytetarët të afrohen sa më shumë për të ndjekur aktivitetet e këtij muaji.