Avokati i Popullit Igli Totozani, është shprehur se “tashmë banorëve të Qarkut të Gjirokastrës nuk do t’u duhet të udhëtojnë më në drejtim të Tiranës për problematika të ndryshme, pasi Avokati i Popullit do të çelë një zyrë në Gjirokastër, e cila do të funksionojë rregullisht në shërbim të qytetarëve”. “Kjo do të jetë një gjë shumë e mirë dhe një sukses i madh për institucionin tonë dhe për qytetarët. Tashmë ata në vend që të shpërngulen dhe të vijnë deri në Tiranë, do të vijë Avokati i Popullit më pranë tyre, siç ka qenë premtimi që në fillim të mandatit tim, si një Avokat i Popullit pro aktiv, pranë qytetarëve, pranë probleme të tyre, interesave të tyre legjitime”, është shprehur Totozani. Gjatë vizitës në Gjirokastër ai ka zhvilluar një takim me drejtues të Bashkisë së qytetit, si dhe ka bashkëbiseduar me përfaqësues të shoqërisë civile. Gjithashtu, Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka zhvilluar edhe pritje me qytetarë të ndryshëm, ku ka dëgjuar problematikat e tyre.


