Tiranë | Patozi: Kuvendi i qëndroi strikt rregullores

alt

Gjatë një konference për shtyp në selinë e Kuvendit, Patozi sqaroi procesin e votimit, duke dhënë arsyet pse mazhoranca kërkoi aplikimin e votimit elektronik. Patozi i cilësoi spekulime deklaratat e përfaqësuesve të Partisë Socialiste, veçanërisht kreut të grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruci, lidhur me votimin e sotëm në parlament. “Së pari, për mazhorancën që unë përfaqësoj sot ka qenë një ditë normale pune, pa asnjë ankth dhe stres, i cili u finalizua tamam ashtu, siç ne e kishim parashikuar, midis të tjerash, edhe me votimin e kandidaturës sonë për anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, tha Patozi. Ai shtoi se “Kuvendi i qëndroi strikt rregullores së tij dhe traditës së vet mbi njëzetvjeçare, duke kryer një procedurë rutinë për vendin vakant të një prej institucioneve të pavarura të Republikës”. “Respekti mbi normat e shkruara dhe eksperienca e pasur e tij bënë që parlamenti të çaktivizojë në mënyrën më shembullore një përpjekje të qartë për të bllokuar dhunshëm një emërtesë të Kuvendit të Shqipërisë”, tha Patozi. Patozi bëri një përshkrim të shkurtër kronologjik të ngjarjeve, duke theksuar se “me të njëjtën mënyrë ky parlament ka zgjedhur disa presidentë dhe mjaft dinjitarë shumë më të lartë se anëtari i KLD”. Ai akuzoi homologun e tij, Ruçi, dhe deputetët socialistë, se tentuan të fusnin në kolaps seancën plenare, duke penguar procesin e votimit.

Advertisement