Edhe pse mungojnë statistikat zyrtare për prekshmërinë e kësaj sëmundje, specialistët përllogarisin se 1% e fëmijëve në vend kanë shfaqur shenja të autizmit. Në Ditën Boterore, 2 prill, e vendosur nga Kombet e Bashkuara në 2007 apelohet për rritjen e ndërgjegjësimit për autizmin, si një çështje globale e shëndetit publik me theks të veçantë në diagnostikimin dhe ndërhyrjen e hershme. Autizmi, u identifikua si sëmundje në 1943, është një term i përgjithshëm i përdorur për të përshkruar një grup kompleks crregullimesh në zhvillimin e trurit shkaktuar nga një kombinim i ndikimeve gjenetike dhe të ambjentit. Këto çrregullime karakterizohen, në shkallë të ndryshme, nga mospranime sociale a të sjelljes, sikurse nga sjellje përsëritëse. Autizmi mund të identifikohet që në muajt e parë të jetës dhe mund të kuptohen nga një specialist kur fëmija është në muajin e pestë, ndërsa shenjat me të dukshme variojnë nga 18 deri në 36 muajsh. Karakteristikë e kësaj sindrome është se fëmija mund të zhvillohet pa shfaqur shenja shumë të dukshme të çrregullimit deri në moshën 16-18 muajsh dhe pas kësaj moshe, nëna mund të identifikojë probleme në zhvillimin e tij. Fëmijët autikë kanë probleme të komunikimit, mbyllen në vetvete, nuk krijojnë lidhje emocionale, nuk shoqërohen me moshatarët, fiksohen pas një sendi apo objekti, etj.