Kur aktorët vlerësojnë…

Kjo është një ceremoni ndarjesh çmimesh nga bashkësia e aktorëve të kinemasë dhe atyre televizivë amerikanë dhe konsiderohet si çmimi i dytë më i rëndësishëm në Hollywood. Fituesi i madh i këtij viti në SAG ishte filmi THE HELP. Falë lojës së shkëlqyer të Emma Stone, Viola Davis, Octavia Spencer, Bryce Dallas Howard e Jessica Chastain filmi me regji të Tate Taylor, mundi të fitonte një vlerësim për kastin, e barazvlefshme kjo në këtë ceremoni me çmimin e "Filmit më të Mirë". THE HELP është marrë nga romani me të njëjtin titull shkruar nga Kathryn Stockett që trajton temën e racizmit dhe të respektit në dukje të familjeve të jugut në fillimin e viteve 60. Ky film fitoi edhe çmimin e "Aktores Më Të Mirë Protagoniste" Viola Davis e cila mundi koleget Glenn Close, Meryl Streep, Tilda Swinton dhe Michelle Williams. Edhe Octavia Spencer u zgjodh si "Aktorja Më e Mirë Jo Protagoniste" për interpretimin e saj në THE HELP.

Përsa i përket meshkujve, Jean Dujardin, interpretues i yllit memec të kinemasë George Valentin, ka mundur kolegët Demian Bichir, George Clooney, Leonardo DiCaprio dhe Brad Pitt duke fituar çmimin si Aktori më i mirë Protagonist. Çmimi i AKTORIT MË TË MIRË JO PROTAGONIST shkoi për Christopher Plummer, i cili në filmin BEGINNERS interpreton një burrë që i rrëfen të birit homoseksualitetin e tij. Sigurisht që surpriza e mbrëmjes ishte fitorja e Viola Davis që mundi Meryl Streep për rolin e Margaret Thatcher në filmin THE IRON LADY. Interpretimi i kësaj të fundit është favoritja në ceremoninë e çmimeve Oscars, por tani pas këtij zhvillimi të fundit nga ana e aktorëve (që janë edhe më të shumtit në Academy of Motion Picture Arts and Science), gjërat nuk duken edhe aq të sigurta. Ja dhe disa momente nga kjo ceremoni…

Advertisement

Kasti i filmit fitues të SAG 2012 – THE HELP

Viola Davis (Aktorja Më e Mirë Protagoniste) dhe Octavia Spencer (Aktorja Më e Mirë Jo Protagoniste) në SAG 2012