Ministri i Financave bëri me dije se dy agjencitë amerikane Moody’s dhe “Standard & Poor’s” e vlerësuan Shqipërinë në të njëjtin nivel si vitin e shkuar sa i përket aftësisë kredituese të ekonomisë vendase. Ministri Bode foli për këtë vlerësim gjatë analizës së fundvitit, të cilën ia kushtoi pikërisht vlerësimit të agjencive “Moody’s” dhe “Standard & Poor’s”, por edhe raportit më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Sipas Bodes, dy kompanitë amerikane vlerësojnë Shqipërinë në një moment kur për tre ekonomi në rajonin e Ballkanit jepen vlerësime negative dhe përllogaritet ulje e ekonomisë. Kreu i Financave, nënvizoi se ky vlerësim vjen fill pas një raporti analizë të ekspertëve të FMN-së i kryer në muajin e kaluar për 6 vende të Evropës Juglindore, duke preçizuar se qendrueshmëria e ekonomisë shqiptare është rezultat i reformave të qeverisë, politikave fiskale, privatizimit të ndërmarrjeve të mëdha, reforma që shënuan sipas Bodes, një rritje më të lartë të ekonomisë krahasuar me vendet e rajonit. Ministri i Financave deklaroi se për vitin 2012 ekonomia shqiptare parashikohet të rritet me 4.3 për qind, duke siguruar se qeveria do të ndjekë me kujdes rritjen ekonomike dhe rishikimin e buxhetit. “Këto përbëjnë kartolinën e urimit më të bukur që agjencitë e huaja ua adresojnë shqiptarëve”, tha Bode. Pak ditë më parë dy agjencitë e vlerësimit të ekonomive, Moody’s dhe “Standard & Poor’s” e kanë vlerësuar Shqipërinë në të njëjtin nivel si vitin e shkuar sa i përket aftësisë kredituese të ekonomisë vendase. Sipas agjencive të njohura, Shqipëria është vlerësuar rishtas në nivelin B1 dhe B+. Agjencitë Moody-s dhe “Standard & Poor’s” e vlerësojnë ekonominë shqiptare të qendrueshme në planin afatmesëm. Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, agjencitë raportojnë se Shqipëria ka shfaqur një rritje të qëndrueshme ekonomike në nivelin e 4%; sektori bankar në vend është likuid dhe i qendrueshëm, i mirëkapitalizuar dhe me rritje të vazhdueshme të depozitave. Agjencitë vlerësuan se qeveria shqiptare po punon me seriozitet për të mbajtur nën kontroll dhe ulur gradualisht nivelin e borxhit publik, duke shprehur gjithashtu vlerësimin pozitiv për reformat ekonomike. Vlerësimi vjen në një moment kur thuajse të gjitha vendet e rajonit dhe të eurozonës janë përballur me ulje të vlerësimit të profilit të riskut, apo me përkeqësim të këndvështrimit të parashikimeve afatmesme të tyre nga “stabël” në “negative”. Por, ky vlerësim i agjencive “Moody-s dhe “Standard & Poor’s” bie ndesh me raportin e fundit të FMN-së që vlerëson se rënia e ndjeshme e eksporteve në gjashtë vende të Europës Juglindore, ndër të cilat edhe Shqipëria, janë shenjat e para të krizës globale mbi vendet e Ballkanit perëndimor.