Brenda 24 dhjetorit autoritetet shëndetësore franceze do t’u sugjerojnë rreth 300 mijë femrave me proteza të tipit PIP (Poly implants prothèses) në gjoks që t’i heqin. Bëhet fjalë për një model protezash difektoze të cilat dyshohet se kanë shkaktuar vdekjen nga tumori të paktën tek një femër, duke i bërë subjekt rrezikshmërie të lartë edhe të tjerat. Sipas të përditshmes Liberation, Anges Buzy nga Instituti Kombëtar i Kancerit dhe Jean-Yves Grall, Ministër i Shëndetësisë kanë marrë vendimin që të japin alarmin pasi janë bindur për rrezikshmërinë e protezave në fjalë. Ky është një vendim unik në historinë e kirurgjisë estetike.
Zëdhënësja e qeverisë Franceze Valerie Pecresse, e ka konfirmuar alarmin: “Jemi duke vlerësuar këtë rast. Duke konsideruar specifikën e këtyre protezave të gjoksit, ato mund të shkaktojnë kancer. Të gjitha femrat që kanë këtë lloj proteze në gjoks, duhet t’u drejtohen kirurgëve të tyre. Përsa n’a përket neve duhet të bëjmë një listim të të gjitha grave që kanë vënë proteza të tilla në gjoks, pasi janë potencialisht në rrezik”. Përsa i përket shpenzimeve të nevojshme për të hequr protezat, zëdhënësja ka siguruar të interesuarat se do të përballohen nga shëndeti publik, duke qenë se është një emergjencë shëndetësore.