Në fjalën e tij në mbledhjen e METE-s ku është prezantuar skema për ndryshimin e taksave, kreu i dhomës së tregëtisë Nikolin Jaka ka theksuar se çmimet e karburanteve në vendin tonë janë shumë të larta krahasuar me vendet fqinje. “Ne jemi vendi që kemi çmimet më të larta të karburantit si për industritë ashtu edhe për konsumatorin. Një litër karburant ka arritur në 1.4 euro në Shqipëri dhe ky çmim nuk është as në Maqedoni as në Greqi” theksoi Jaka. Sipas tij qeveria duhet të jetë më e angazhuar për të stimuluar industrinë e karburantit ndërsa kërkoi që mbledhja të shtyhet pasi grupet e interesit nuk janë njohur me paketën e propozuar nga ministria e Financave. “Kemi një procedurë që duhet t`ia kalojmë paketën të gjitha grupet e interesit. E mbështes fjalën e ministrit për të promovuar dhe stimuluar prodhimin vendas por mesa shoh shumica e ndryshimeve në paketë nuk e promovojmë prodhimin vendas qoftë edhe për ekpsportet” theksoi Jaka. I menjëhershëm ka qënë reagimi i Zv.ministrit të financave Rrushaj I cili ka theksuar se akciza e karburanteve është në nivel të pranueshëm. Sipas tij qeveria ka vënë rregulla të forta për konkurencën në industrinë e karburanteve si dhe ka vënë në zbatim projekte që ndihmojnë bizneset prodhuese në këtë sektror. Çmimet e karburanteve në Shqipëri kanë kanë qëndruar për një periudhë të gjatë kohore në vlerën e 180 lekëve për litër. Ndërkohë që ajo që vihet re është fakti se rritja e çmimit të karburanteve në tregjet botërore reflektohet menjëherë në vend ndërkohë që nuk ndodh e njëjta gjë kur kemi ulje të çmimit. Ekspertët kanë vlerësuar se rritja e çmimit të naftës përgjatë vitit 2011 do të ishte edhe sfida e radhës për ekonominë globale.


