690 biznese kanë thyer aktmarrëveshjet e nënshkruara me OSHEE-në, për pagesën me këste të borxheve të prapambetura.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri sqaroi se marrëveshjet janë shkëputur në mënyrë të njëanshme, ndaj, për to do të merren masa duke nisur nga ndërprerja e energjisë e deri tek vendosja e barrës hipotekore e cila ndalon transferimin e pronësisë pa likujduar detyrimet ndaj Operatorit të Shpërndarjes.
“Do të fillojë të vihet në zbatim legjislacioni i ri i energjisë elektrike që ka të bëjë me vendosjen e barrës hipotekore për të gjithë ato biznese që kanë një vlerë detyrimi të prapambetur mbi 1.5 milion lekë të reja. Do të fillojnë njëkohësisht të gjitha procedurat përmbarimore për të vjelur këto detyrime ndaj të gjitha bizneseve që kanë thyer aktmarrëveshjet. Përfitoj nga rasti tu bëj thirrje bizneseve pasi kanë njoftim, kanë afat 5 ditë kohë nga njoftimi për të rilidhur kontratën dhe të vazhdojnë me këstet e lehtësirat që janë krijuar nga aktmarrëveshja. Përndryshe do të penalizohen në mënyrë të menjëhershme pasi nuk është normale që qytetarët të tregohen të rregullt ndërsa bizneset të devijojnë nga lehtësirat që u ka krijuar shteti”, nënvizoi Gjiknuri.
Deklaratat u bënë gjatë inaugurimit të përfundimit të investimit 600 mijë euro për ndërtimin e rrjetit të ri 20 kV në zonën e ish-nisherakut në Tiranë.
Duke u ndalur tek investimi i inauguruar, administratori i OSHEE-së Adrian Çela deklaroi se është bërë kalimi i të gjithë rrjetit nga 10 kV në atë 20 kV; janë ndërtuar 17 kabina të reja e rikonstruktuar 14 të tjera; janë zhdukur 15 shtylla që ishin në mes të rrugës.