500 studentët e Akademisë së Policisë kanë përmbyllur praktikën mësimore

Pas 22 javësh kurs mësimor intensiv, 500 studentët e Akademisë së Policisë kanë përmbyllur fazën e parë të rekrutimit në rradhët e Policisë dhe do të nisin praktikën në terren.

Praktika do të kryhet për 22 javë të tjera pranë Drejtorive të Policisë ku janë rregjistruar për konkurim, ndërsa emërimi më pas do të jetë në varësi të nevojave të Policisë së Shtetit. Në ceremoninë e mbylljes së praktikës mësimore, organizuar në Akademinë e Policisë, morën pjesën Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe Drejtori i Policisë së Shtetit Artan Didi. “Kjo është koha për t’u përballur me provimin më të vështirë, atë të marrëdhënies me qytetarët”, iu drejtua studentëve, ministri Tahiri. “E dimë si deformohet ndonjëherë edhe praktika e përditshme e Policisë së Shtetit. Nëqoftëse ju në emër të shoqërisë, të përditshmërisë, të traditës apo zakonit, që hajt të bëhemi bashkë, toleroni nga vetja për t’u bërë si ata që do të gjeni në bazë, keni humbur përfundimisht bastin me veten. Nuk do të bëheni kurrë njerëzit me të cilët mund të krenohet shoqëria, ju me veten, apo familja juaj nesër”, theksoi Ministri. Drejtori Artan Didi iu ka kërkuar punonjësve të ri të Policisë të jenë të pakursyer dhe kritikë me veset apo shkeljet që do të konstatojnë tek trupa aktuale policore. “Tashmë do të jeni në terren për të përfituar përvojën e domosdoshme, pasi puna në Polici nuk mund të jetë mënyrë për të përfituar priviligje personale, por për t’i shërbyer komunitetit”, nënvizoi Didi. Në janar 2015, do të nisin praktikën mësimore grupi i dytë prej 500 studentësh, të përzgjedhur në testimin e kryer në marsin e vitit 2014.

Advertisement