Afati përfundimtar për regjistrimin e kandidatëve për zgjedhjet vendore të 21 qershorit është data 4 maj 2015, bëri të ditur të enjten Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, shpjegoi se “kandidatët për kryetarë bashkie dhe listat e kandidatëve për këshillat bashkiakë regjistrohen në KQZ apo KZAZ-të përkatëse, jo më vonë se 50 ditë përpara ditës së zgjedhjeve”.
Por, theksoi zëdhënësja, duke qënë se datat 1, 2 dhe 3 maj përkojnë me ditë pushimi zyrtar, afati përfundimtar për dorëzimin e dokumentacionit ligjor për regjistrimin e kandidatëve për kryetar bashkie apo të listave shumemërore nga subjektet zgjedhore, është data 4 maj ora 18.00.
KQZ kujton gjithashtu se data e fillimit të fushatës zgjedhore nga partitë politike është data 22 maj.