24 vjetori i FRESSH, Rama: Reformat kërkojnë vullnet të hekurt

Forumi Rinor Eurosocialist Shqiptar kremton sot 24 vjetorin e themelimit të tij nën moton “Më të mirët me PS”.

Në kuadër të kësaj feste të të rijnve të PS, kjo forcë politike ka organizuar një aktivitet festiv me anëtarët e FRESSH, deputetete dhe drejtuesit ndër vite të këtij organizmi.

Advertisement

Kryeministri Edi Rama i pranishëm në këtë aktivitet theksoi se realizimi i reformave kërkon vullnet të hekurt dhe të rinjtë janë modeli i punës së madhe dhe vullnetit të fortë.

Jemi të fokusuar për t’u organizuar, tha kreu socialist, Edi Rama, duke vlerësuar si çmimin më të lartë që ka marrë si kryeministër pikërisht vlerësimin e FRESSH.
“Politika ka marrë shumë goditje dhe është e cënuar rëndë në imazhin e besueshmërinë e saj. Ndërkohë vendi është në një proces kompleks sfidash, vështirësish, përpjekjesh për transformim, por edhe mbi prodhimi të energjive negative dhe të cinizmit ndaj çdo gjëje që ndodh. Mbiprodhim që nuk e ndal dot procesin ku ne udhëheqim me bindje të madhe dhe vullnet të hekurt një sërë reformash, por e pengon jashtë mase”, tha Rama.

Kryeministri Rama nuk la pa evidentuar edhe numrin më të madh të grave dhe të vajzave në këtë forum, duke e quajtur një diktaturë të re. Ai tha se për të është e pëlqyeshme kjo gjë por si çdo diktaturë është ferr. “Duke iu parë po mendoja që vërtetë PS është e angazhuar me zemër dhe mendje në një betejë emancipuese për barazinë gjinore, por jo deri në atë pikë sa të kemi 10% burra dhe djem dhe 90% gra dhe vajza sepse pastaj do të kalonim nga diktatura e burrave tek diktatura e grave. Kur e mendon mua me duket më e pëlqyeshme, por siç cdo diktaturë është ferr më vete”, tha kryeministri Rama.

Më tej, Rama shprehu mirënjohjen ndaj të rinjve. “U jam mirënjohës që jeni sot këtu, jam takuar me një pjesë tuajën, kur shprehët dëshirën për përfshirjen në këtë proces të pandërprerë për t’u riorganizuar dhe për të bërë zgjedhjet e reja por siç e kujtoni ju thashë të merrni kohë, ta mendoni më mirë, ta vendosni me më shumë diskutim me veten dhe të tjerët, pasi ky është një hap shumë i rëndësishëm dhe aspak i lehtë sidomos për njerëz si ju që jeni një model i bazuar tek puna e madhe dhe tek vullneti i fortë në fushën e dijes. Kjo bën mirënjohjen time për praninë tuaj këtu dhe për këtë hap drejt PS, një mirënjohje të thellë, të vërtetë dhe aspak formale. Nga ana tjetër duke pasur praninë tuaj në këtë proces të ripërtëritjes së PS-së ne marrim një kurajë të veçantë dhe për mua është një inkurajim shumë i posaçëm pasi asnjëri nga ju nuk është një individ që mund të gënjehet dhe që mund të tërhiqet pas një ideje apo një force nëse ideja dhe forca në fjalë nuk e kanë fuqinë e duhur bindëse për zemrën dhe për mendjen. Kjo pikërisht më tregon edhe pa pasur nevojë për fjalë që ajo çka ne po bëjmë meriton respektin tuaj dhe respekti juaj është çmimi më i lartë që unë mund të merrja si kryeministër pas 2 vjet e gjysmë përpjekje dhe ju falënderoj për këtë çmim”, tha Rama.
Nga ana tjetër, shtoi ai, “kam bindjen se ardhja juaj në PS çel një rrugë të re në një kohë ku nuk eshtë e lehtë për vendin dhe politikën dhe kjo e fundit ka marrë goditje dhe është cënuar në imazhin e saj dhe vendi është në një proces”.