Me kërkesën për të shprehur në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu shqetësimin e tij për situatën e kriminalitetit në vend, Florjan Matia kërcënoi se do të hidhej nga një pallat shumëkatësh në rrugën “Aleksandër Moisiu”, pranë ish – Kinostudios.
Me një megafon në dorë, i riu nga fshati Balldre i Lezhës, këmbëngulte se kërkesën e tij për më shumë rend dhe siguri dëshironte ta bënte nga studio e emisionit “Opinion”
Ndërhyrja në media e gazetarit Fevziu dhe premtimi se 24 – vjeçarit do t’i lejohej të fliste për 15 minuta në emisionin “Opinion” e bindën të riun nga Lezha të zbresë nga tarraca e pallatit.
I riu tha se nuk kishte asnjë problem me policinë dhe shtetin, por mesazhi i tij lidhej me imazhin e shqiptarëve sot.
Pas zbritjes nga tarraca e pallatit shumëkatësh 24 – vjeçari u shoqërua në ambientet e Komisariatit numër 4.
Në mbrëmje, Florian Matia ishte prezent në studion e emisionit “Opinion”, ku gazetari Blendi Fevziu i dha mundësinë të shprehë shqetësimet e tij.
24 – vjeçari rrëfeu se ishte nisur nga Lezha dhe pasi bleu një megafon në tregun elektrik u ngjit në pallatin 8 katësh për të dhënë mesazhin e tij, por gjithsesi pa mendimin për t’u vetëflijuar.