Bllokimi që dy drejtues të lartë të Intepol Tiranës i bënë kërkesave të ardhura nga Belgjika për arrestimin e deputetit Mark Frroku, çoi në dorëheqjen e parevokueshme të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Artan Didi.Pak orë pas arrestimit të shefit të Interpol Tiranës Artan Bajraktarit dhe specialistes në këtë institucion Laureta Alla, kryepolici Didi i paraqiti zyrtarisht dorëheqjen ministrit të Punëve të Brendshme dhe kryeministrit Edi Rama.
Sipas zyrës së shtypit të Policisë së Shtetit, vendimi i Didi për dorëheqje lidhet me përgjegjësinë morale ndaj rastit të fundit në çështjen “Frroku”.
“Modelin e punës që u mundova të fus në institucion po e shoqëroj me modelin e dorëheqjes kur diçka nuk ecën sipas pritshmërisë që ti ke dhe të asaj pritshmërie që kanë të tjerët për punën e institucionit që t’i drejton.
Shkelja e procedurave ligjore të specialistit të Interpolit dhe të shefit të këtij sektori, shkelje që i vuri ata përpara përgjegjësisë penale, cenoi në një farë mase imazhin e Drejtorisë së Përgjithshme të policisë, ndonëse ishte po ky institucion që e korrigjoi gabimin.
Për këtë arsye, duke vlerësuar këtë ngjarje si të papranueshme për prestigjin e institucionit të Policisë së Shtetit, të cilin unë e drejtoj, duke e vlerësuar që nuk pata kapacitetin e mjaftueshëm për të parandaluar një fakt të tillë, vendosa të jap dorëheqjen e parevokueshme nga funksioni i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Punonjësit e ndershëm të policisë të më gjykojnë për këtë vendim!”
Kështu shkruan Didi në kërkesën drejtuar Tahirit dhe Ramës.
Sipas burimeve, Didi ia ka përcjellë vendimin drejtuesve më të lartë të Policisë në një mbledhje me dyer të mbyllura në drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Artan Didi mbante postin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që nga tetori i vitit 2013.