Nicole Scherzinger dhe Lewis Hamilton janë ndarë… sërish.
Lajmi është konfirmuar nga E! News.
Këngëtarja dhe piloti i Formula Një janë lidhur në 2007-ën, por historia e tyre ka njohur shumë ndarje dhe ribashkime.
“Ishte vendim i të dyve. Distanca e largët i mbante ata të ndarë për shumë kohë,” ka thënë një burim për Daily Mail. “Të dy e kalonin pjesën më të madhe të kohës vetëm, sepse shumicën e kohës ndodheshin në vende të ndryshme. Nicole është zemërthyer dhe shumë e trishtuar.”
Scherzinger, e cila aktualisht po punon për të risjellë në skenë musical-in Cats, qëndron në Los Angeles, ndërsa Lewis në Monaco.
Po sa i përket një ribashkimi të mundshëm burimet thonë se “Tashmë kanë kaluar shtatë vjet, dhe ata ndahen gjithnjë për të njëjtën arsye. Por gjithmonë dashuria i ka ribashkuar.”
Ndërkohë një burim tregon për The Sun se ishte Scherzinger ajo që ndërmorri iniciativën për tu ndarë.
“Nicole e dinte që Lewis nuk kishte ndër mend të martohej. Ajo është e zhgënjyer dhe ndihet e humbur për të ardhmen e vet.”
Në Dhjetor, Hamilton kishte folur për të ardhmen e tyre duke thënë “Jemi shumë mirë. Ajo punon shumë dhe ne jemi frymëzim për njëri-tjetrin. Por nuk kemi diskutuar ndonjë herë për martesë. Të dy e dijmë sa e çmuar është koha që kalojmë bashkë. Në një moment edhe martesa do të merret parasysh por për momentin do të mbështesim njëri-tjetrin në gjërat që duam të bëjmë.”
Po atë muaj Hamilton tha për E! News se ndihej “nën presion nga pjesëtarët e familjes që të martohej por se ai dhe Nicole “ishin të përqëndruar në punë dhe jemi shumë të lumtur kështu.”
Por me sa duket nuk ishte kështu për të dy.