Dy aksidente të linjave të autobuzëve të transportit publik në Tiranë, janë shënuar mëngjesin e sotëm, ku kanë mbetur të lënduar disa pasagjerë, ndërsa është arrestuar edhe një prej drejtuesve të urbanëve pasi ka rezultuar se ishte i dehur.
Në aksidentin e parë të shënuar rreth orës 09:00 të mëngjesit, autobusi me targa TR 8697 S, në pronësi të Tirana Urban Trans i linjës së Yzberishtit është përplasur me autobusin me targa, AA 108 HT, i SHEGA Trans që punon në linjën Kinostudio- Kombinat, në dalje të stacionit të përbashkët të tyre në këtë zonë.
Për pasojë janë plagosur disa pasagjerë, ndërsa policia e mbërritur në vendin e ngjarjes, ka arrestuar shoferin e autobusit të Kasharit, Afrim Mici 43 vjeç, pasi nga hetimet ka rezultuar se ishte i dehur.
Shoferit i është hequr licenca si dhe i është pezulluar leja e drejtimit. Hetimet bënë të ditura se në aksident ka pasur edhe shkelje të rregullave të qarkullimit nga ana e shoferit të autobusit të Kinostudios të cilit gjithashtu i është pezulluar leja e drejtimit.
Ndërkohë aksidenti i dytë është shënuar pak kohë më pas ku sërish një prej autobuzëve të linjës Kinostudio- Kombinat, u përplas në afërsi të zonës së Misto Mames. Sipas policisë, përplasja erdhi pasi shoferi humbi ndjenjat, ndërsa policia po heton sërish në lidhje me dyshimet për gjendjen ose jo të dehur të drejtuesit.
Lidhur me rastet e sotme, policia ka nisur një sërë kontrollesh për drejtuesit e linjave urbane pas dy përplasjeve në mëngjes mes autobusëve.