Tiranë | Rama: Modernizim sistemit të ndriçimit të rrugëve

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në testimin e vendosjes së një teknologjie të re për ndriçimin, gjatë inspektimit të rikonstruksionit të rrugës Prush-Gropaj të komunës Vaqarr në Tiranë.
Kryeministri Rama, duke vlerësuar projektin theksoi se “synohet t’i jepet zgjidhje përfundimtare disa problematikave dhe njëherësh ky projekt e shndërron Shqipërinë në një model në këtë drejtim”. “E para, kjo është energji e gjelbër e plotë që futet. E dyta, do na zgjidhë problemin e tmerrshëm të vandalizmit dhe të vjedhjes së vazhdueshme të kabllove nëpër rrugë. E treta, kjo na zgjidh problemin e shpenzimeve të pushtetit vendor, që praktikisht i ka të detyrueshme dhe që, nga ana tjetër, është një akumulim i madh borxhesh në raport me kompaninë e shpërndarjes, sepse nuk paguajnë. Nuk paguajnë për pamundësi kryesisht. Sidomos komunat e kanë të pamundur që të paguajnë shpenzimet”, nënvizoi Rama. Kreu i qeverisë u shpreh se “në qoftë se ne futemi me këtë teknologji, bëjmë një zgjidhje të përgjithshme dhe e transformojmë praktikisht Shqipërinë në një model, sepse edhe në Europë tani ka filluar të futet kjo teknologji, ndërsa hyjmë në një fazë komplet të re”. Ndërsa Drejtori i FSHZH-së, Benet Beci tha se “është hera e parë që ne po eksperimentojmë një teknologji të re të ndriçimit rrugor. Është fjala për fotovoltaikët. Kanë independencë disaditore, edhe në kohë me shi. Siguron një autonomi dhe s’ka nevojë për ndriçim dhe për pagesat që duhet të bëjë komunat, që shpeshherë janë të rënda për buxhetin e komunës. Kjo s’ka asnjë pagesë gjatë gjithë periudhës dhe siguron pavarësi të plotë të ndriçimit”. Kryeministri Rama u ndal edhe në fabrikën e prodhimit vendas të shtyllave të ndriçimit fotovoltaik në Vaqarr. Duke bashkëbiseduar me drejtuesit e fabrikës, Rama u shpreh se është shumë e rëndësishme një transformim përsa i përket ndriçimit në rrugët e vendit, të cilat në më të shumtën e rasteve janë të zhytura në errësirë. Është shumë e rëndësishme për ne, shtoi Rama, që të bëjmë një transformim të madh në pjesën e ndriçimit në rrugë. “U bë qesharake. Gjithandej errësirë nëpër autostrada, gjithë ato investime”, tha kryeministri. Kryeministri Rama theksoi gjtihashtu se prodhimi vendas përbën përparësi, për shkak të kostos më të ulët dhe mundësisë së mirëmbajtjes së tij.

Advertisement