1139 biletat për Shqipëri-Çeki shiten për 26 minuta!

Për 1139 bileta të fundit për ndeshjen me Çekinë kërkesa ishte e jashtëzakonshme. Për disa orë faqja e kompanisë që shet biletat online ka qenë e përmbytur nga tifozët që kërkonin një mundësi të fundit për të parë ndeshjen në stadiumin “Air Albania”.

Mbi 6 mijë persona kanë qëndruar online duke kërkuar të blejnë bileta. Por mundësinë e kanë patur afërsisht 300 të parët që kanë qenë në radhë, pasi 1 person mund të blinte deri në 4 bileta.

Advertisement

Kështu që 1139 kuponët në dispozicion, kanë përfunduar në 26 minuta. Këto bileta ishin parashikuar për tifozët e e skuadrës mike, por federata çeke ka blerë vetëm 700.

Në kampion kuqezi këtë të martë është plotësuar grupi i lojtarëve që grumbulloi trajneri Sylvinho për ndeshjen me Çekinë. Stafit mjekësor të kombëtares i mbetet për të parë gjendjen fizike të Gjasulës i cili ka kaluar një virozë.

Vetë futbollisti shpreson të jetë i gatshëm për sfidën e së enjtes.

Shpresë për rikuperim ka edhe për Keidi Baren. Futbollisti ka patur shqetësime në kofshë. Mjekët e kombëtares duhet të sigurohen sa e përballon ai ngarkesën fizike.

Të gjithë futbollistët e tjerë janë në formë dhe të gatshëm për të bërë më të mirën të enjten në mbrëmje.