Zbulohen rolet e “skuadrës” në vrasje…

Vrasja e Ardian Nikulaj në Lezhë u organizua nga një skuadër që mendoi çdo detaj deri në realizimin e qëllimit final. Në dosjen e prokurorisë që Klan News ka lexuar, janë zbardhur rolet e secilit prej britanikëve në ngjarje.

Sipas hetimit, më 3 Prill në orën 22:35 kanë mbërritur nga Londra, Harriet Bridgeman dhe Thomas Mithan. Sipas kamerave të sigurisë, ata i mori një mjet me karakteristika të njëjta me atë që Edmond Haxhia kishte marrë me qira, tip Volkswagen Golf 5.

Advertisement

Mjeti i ka pritur në Rinas pranë lokal “T…” . Në të njëjtin vend Edmond Haxhia është filmuar dukë marrë në makinë më 14 Shkurt portugezin Saraiva.

Pas Rinasit, dy britanikët mbërritën në Shëngjin në orën 1:30 dhe janë akomoduar në hotel “L…” në pronësi të vëllait të Ardian Nikulajt. Në datë 5 Prill në dhomën e tyre në hotel “L…” shkon anglezi tjetër Steven Paul Hunt. Ata qëndrojnë për 3 orë së bashku. Atë pasdite, Thomas Mithan largohet nga Shqipëria nëpërmjet Rinasit.

Me Steven Paul Hunt, në dukje si një çift, 28-vjeçarja britanike Bridgeman në orën 11:30 të datës 6 Prill shkojnë në lokalin “Coral” në pronësi të Ardian Nikulaj, në të njëjtin ku ndodhi dhe vrasja.

Kamerat e lokalit i kanë fiksuar deri në orën 14:30. Ata konsumojnë pije, hyjnë dhe dalin disa herë nga lokali, duke kryer veprime të dyshimta dhe duke filmuar me aparate celulare. Gjatë kësaj periudhe kohore në lokal ka qenë edhe Ardian Nikulaj. Të nesërmen ata janë larguar nga Rinasi në mëngjes me avion për në Athinë.

Britaniku tjetër, Harry James Simpson, i cili ka patur rolin e vëzhguesit të afërt, është me 27 precedentë penalë për drogë e vjedhje në Britani. Ai ka mbërritur në 11 Prill dhe pranë lokal “T…” në orën 00.56 hipën në makinën “Volkswagen” dhe lëviz për në Lezhë. Në orët e para të mëngjesit shihet në shëtitoren e Shëngjinit dhe në oren 03:09 shkon te hotel “R…..”. Të nesërmen deri ditën e vrasjes ka qëndruar në hotel “B…”. Sipas dëshmisë se recepsionistit, tre ditë ka paguar nga 30 Euro dhe 5 ditët e tjera nga 30 mijë lekë nata. Pagesën e ka kryer çdo ditë. Recepsionisti që fliste mirë anglisht e ka kuptuar theksin britanik të klientit. Por nuk e ka regjistruar me pasaportë.

Harry James Simpson ka patur një valixhe me vete dhe ka shtyrë qëndrimin çdo ditë deri pasditen e 19 Prillit. Sipas dëshmisë së recepsionistit, ditën e ngjarjes ai ka dalë në orën 09:00 të mëngjesit dhe është kthyer rreth drekës duke i treguar recepsionistit për plumbat te lokali ku kishte qenë dhe ka kërkuar një taksi. Me taksi është nisur në orën 14:30 dhe ka mbërritur në aeroportin e Rinasit në orën 15:30. Është filmuar nga kamerat e aeroportit të hyjë në tualet e të ndërrojë rrobat. Ka bere check-in dhe në 21:34 është fiksuar te pika e kontrollit të pasaportave, ku ka tentuar të kalojë pa e skanuar. Është thirrur nga policët dhe më pas është regjistruar.

Dëshmitë e kamarierit dhe banakierit te lokalit Coral dhe pamjet e kamerave të sigurisë e tregojnë se në 19 Prill, Harry ka qëndruar në lokal nga ora 11:33 deri në momentin kur ndodhi vrasja. Ai shihet të konsumojë disa birra, dhe të luajë bilardo me një të mitur. Ai flet shpesh në telefon, hyn e del nga lokali. Në orën 13:17, pesë minuta para ngjarjes e deri në 13:23 fiksohet duke folur shpesh dhe shumë gjatë në telefon.

Nga ana tjetër, i akuzuari si porositës dhe financues, Edmond Haxhia ka hyrë në Shqipëri në 24 Nëntor e ka dalë në 20 Prill nga Rinasi, një ditë pas vrasjes.