Vrasja në Linzë, policia identifikon autorët

Policia e Tiranës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorët e dyshuar të vrasjes në Linzë, ngjarje që ndodhi paraditen e së mërkurës.

Sipas bluve të kryeqytetit, personat e dyshuar janë Ervis Martinaj, Emiljano Nina, Mirsad Kuçanaj, Bujar Hasani dhe Oliver Gjoka.

Advertisement

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë debatuar me viktimën Enton Nikaj janë konfliktuar fizikisht dhe më pas kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij. Si pasojë, ka gjetur vdekjen shtetasi Enton Nikaj si dhe është plagosur me mjete të forta shtetasi I.G. Pasi kanë realizuar krimin, autorët janë larguar me automjetin tip Mercedes Benz me targa AA 725 MD, i cili figuron i regjistruar në pronësi të shtetasit Enton Nikaj. Gjatë kqyrjes të vendit të ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një gëzhojë model 54.

Ngjarja ka ndodhur në një restorant të njohur në zonën e Linzës, ku 30-vjeçari Etnon Nikaj u qëllua për vdekje nga një person ende i paidentifikuar, i cili arriti të largohej me shpejtësi.

Policia, me të mbërritur në vendngjarje nisi hetimet dhe bëri të mundur identifikimin e të plagosurit si shtetasi Ismet Gaxherri, pronar i restorantit. Ai u dërgua në spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore.