Veliaj: Përkujtojmë ditën e lumturimit të Nënë Terezës me përurimin e çerdhes në Kodër-Kamëz

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erijon Veliaj, në ditën e lumturimit të Nënë Terezës ka marrë pjesë sot në përurimin e cerdhes se rikonstruktuar në Kodër-Kamëz.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj, zgjodhi pikërisht këtë zonë të qytetit për të përuruar ambientet e reja të çerdhes Nr. 59 “Kësulëkuqja” në Kodër-Kamëz, rikonstruksioni tërësor i së cilës u bë i mundur falë nismës “Adopto një çerdhe”.

Advertisement

Në fjalën e tij, kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj, ka theksuar se “nuk ka simbolikë më të mirë në ditën e lumturimit të Nënë Terezës se sa përurimi i kësaj çerdheje, e cila vjen si kontribut i solidaritetit të shoqërisë. Ky është një investim rreth 28 milionë lekë, duke mundësuar një nga çerdhet më moderne sot në Tiranë. Më vjen mirë që nisma “Adopto një çerdhe” përkoi po ashtu, edhe me javën e solidaritetit, ku duam të përkujtojmë ditën e lumturimit të Nënë Terezës jo me fjalime, por me vepra konkrete në komunitet. Të gjithë ata që kontribuan duke mbështetur këtë nismë, tregojnë se ne jemi pasardhës të shenjtores, jo me fjalë, por me vepra konkrete”.

Ndërsa e ka cilësuar nismën “Adapto një çerdhe” si të suksesshme, kryebashkiaku Veliaj njoftoi se ajo do të vijojë edhe për rikonstruktimin e objekteve të tjera si kopshtet dhe shkollat. “Dua t’ju informoj se në këtë fazë thuajse kemi përfunduar me rikonstruksionin e 31 çerdheve të qytetit të Tiranës. Po fillojmë një operacion të ngjashëm me kopshtet e shkollat, për t’u siguruar që u japim prioritet fëmijëve, qytetarëve më të vegjël të Tiranës dhe për të filluar një risi edhe në menaxhimin e qytetit, ku mendojmë për brezin tjetër dhe jo për zgjedhjet e reja”, përfundoi kryetari i bashkisë, Veliaj.