Veliaj: Nxitje biznesit e punësimit

Foto Arkiv

Me identifikimin e dëmeve të shkaktuara në 4 vitet e fundit ndaj sipërmarrjes, kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ka prezantuar programin e tij përpara biznesmenëve dhe sipërmarrësve të Tiranës.
“Garantoj se, në dallim nga indiferenca që keni pasur në 4 vitet e fundit nga Bashkia e Tiranës, jam i angazhuar që të ruaj të njëjtin seriozitet në marrëdhënien me biznesin, ashtu siç e patëm gjatë bashkëpunimit tonë në qeveri. Jam shumë i ndërgjegjshëm që keni pasur një trajtim të pabarabartë. Përkushtimi im është që të kemi një sistem paanësie”, tha Veliaj.
Duke u ndalur tek lejet e ndërtimit, Veliaj ka bërë të qartë një gjë: “Fjala kryetar i Bashkisë së Tiranës nuk do të jetë më sinonim i atij që jep leje ndërtimi”.
Sipas tij, tashmë Tirana është e mbingopur me ndërtime: “Kemi mijëra apartamente të pashitura dhe nuk ka sens që në 4 vitet e ardhshme të inkurajohen ndërtime të mëtejshme. Kur të shiten apartamentet e pashitura, do të nisim të konsiderojmë lejet e ndërtimit”.
E në fund, Erion Veliaj, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, prezantoi një plan për nxitjen e biznesit dhe punësimit: “Roli i bashkisë duhet të jetë që së bashku me Ministrinë e Ekonomisë, t’i prezantojë bizneseve kapanonet që kemi të lira dhe për ofertën që do të shtojë punësimin dhe prodhimin “Made in Tirana”, ne do të jemi të gatshëm që përkundrejt një euroje t’i vëmë në dispozicion sepse janë asete të vdekura dhe pa asnjë vlerë”.

Advertisement