Veliaj: 4 milion dollarë investime për rrugët e Laprakës

Këtë vit, Bashkia e Tiranës do të investojë 4 milione dollarë për infrastrukturën rrugore në Njësine Administrative Nr.11, e cila përfshin gjithë zonën e Laprakës, deklaroi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa zhvilloi një takim me ndërlidhësit e kësaj njësie.

Veliaj tha se “Fondi i Zhvillimit të Rajoneve miratoi kërkesën e Bashkisë së Tiranës që Lapraka të marrë financimin më të madh në 25 vitet e fundit. Investimi do të zgjidhi përfundimisht disa nga gangrenat e infrastrukturës në të gjithë zonën dhe besoj se ky është një lajm i mirë për të gjithë”.

Advertisement

Veliaj bëri të ditur se Bashkia ka nisur disa projekte pilot, për testimin e sistemit për furnizimin me 24 orë ujë të disa lagjeve të caktuara të Tiranës, përfshi edhe Laprakën. Sipas tij, kjo do të shoqërohet edhe me nismën për heqjen e depozitave nga pallatet, duke shmangur kështu një rrezik të përhershëm për shëndetin e qytetarëve.

“Kemi nisur investimet e mëdha në UKT, që qytetarët të kuptojnë se vërtet e paguajnë faturën e ujit, por ajo u kthehet në investime. Në disa zona, si te “Kodra e Priftit” dhe në “Ali Demi”, kemi filluar projektet pilot për 24 orë ujë pa ndërprerje. Për këtë arsye, shumë familje po i çmontojnë depozitat e ujit”, u shpreh Veliaj.

Gjithashtu, Veliaj tha se “Bashkia e Tiranës do të organizojë disa projekte madhore, ashtu siç bëmë në dhjetor, ku në çdo njësi shpjeguam buxhetin dhe investimet për njësi, apo projektet tona madhore si, këndi i lojërave për fëmijë, Unaza e Madhe, Unaza e Vogël etj”, tha ai. Duke u ndalur veçanërisht te projekti i sheshit “Skënderbej”, Veliaj theksoi se do të zhvillohet një diskutim i gjerë publik, duke shtuar se “ky shesh do të përfaqësojë të gjithë shqiptarët”.

Në fund të takimit, Veliaj paralajmëroi edhe aksionin që do të nisë shumë shpejt për prishjen e rreth 100 ndërtimeve pa leje, kryesisht në zonën e Parkut të Liqenit, si dhe ndërtimet mbi kolektorë për të shmangur përmbytjet.