Unaza e Re, ja si do të devijohet trafiku gjatë punimeve

Dita-ditës kantieri i ndërtimit për rikostruksionin e segmentit të unazës së re, nga Shkolla Teknologjike, tek sheshi Shqiponja, po merr formë. Bashkia është në përfundim të shkuljes së pemëve dhe heqjes së shtyllave të ndriçimit, dhe më pas këto hapësira do të shfrytëzohen nga firmat ndërtuese.

Në fazën e parë kantieri do të ngrihet në pjesën ndarëse të rrugës dhe ngushtimi i korsive është në përfundim për gjatë gjithë gjatësisë.

Bashkia e Tiranës ka deklaruar se trafiku do të menaxhohet në mënyrë që fluksi të reduktohet në pjesën e unazës gjatë kohës që kryhen punimet.

“Kemi bërë një plan menaxhimi që do t’i japë prioritet rrugës Dritan Hoxha dhe Rrugës së Kavajës, ndërsa jemi duke punuar shumë fort me rrugët alternative, siç është rruga “Tre Dëshmorët”, që i shërben zonës së Kasharit, dhe me mbylljen e rrugës “Teodor Keko”, do jetë një rrugë e rëndësishme përsa i takon volumit të trafikut. Ne besojmë që nuk do të ketë bllokim trafiku, por do të ketë mbingarkesë dhe qytetarët duhet të kenë mirëkuptim, pasi është një nga akset kryesore të qytetit të Tiranës, që i shërben të gjithë qytetit, jo vetëm zonës aty”, deklaroi Drejtori i Transportit në Bashkinë e Tiranës, Enton Punavia.

Volumi më i madh i punimeve do të bëhet në sheshin “Shqiponja”, me ndërtimin e mbikalimit.

Gërmimet kanë nisur, ndërkohë në fazën e parë të punimeve, trafiku në këtë nyje do të ketë devijim të pjesshëm, duke i detyruar mjetet që vijnë nga Lapraka dhe që duan të futen në Unazën e re, që kthesën ta bëjnë tek mbikalimi i Kamzës./TCH