U arrestua për shpërdorim detyre, Arlind Gjokutaj nuk paraqitet në gjykatë, shtrohet në spital për probleme me zemrën!

Sot pritet të jepet masa e sigurisë për sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Financave Arlind Gjokutaj, Fatmir Hoxhaj, drejtor i çështjeve juridike dhe përmbaruesin Alban Ruli.

Gazetari Ermal Vija raporton se Gjokutaj nuk është paraqitur në gjykatë pasi prej dy ditësh është shtruar në spital për probleme me zemrën.

Advertisement

Sipas prokurorisë, këta shtetas kanë vepruar duke pranuar shpërblimin e shtetasit Ilir Thana, në vlerën e rreth 82.000.000 lekëve, nga të cilat 50.000.000 lekë të kaluara në llogarinë e këtij shtetasi duke e trajtuar si pronar pa qenë në këtë status si dhe duke ekzekutuar për herë të dytë një vendim gjyqësor të ekzekutuar nga Ministria e Financave në vitin 2015.

Nga hetimet e prokurorisë së Tiranës ka rezultuar se, përmbaruesi Alban Ruli në kundërshtim me ligjin, ka bërë rivlerësim të dëmshpërblimit për një pronë në emër të Thanës edhe pse ky i fundit nuk rezultonte zotërues i një magazine me sipërfaqe 187 metra katror pasi ajo iu kthye ish-pronarit në vitin 1995.

Por sipas prokurorisë, në harkun kohor të tre muajve, duke nisur nga gushti i kaluar deri në tetor, Ministria e Financave në kundërshtim me ligjin, ka pranuar për të ekzekutuar titullin përmbarimor duke derdhur në llogari të Thanës dhe motrës së tij shumën prej 48 milionë lekë të reja, ndërsa pjesa tjetër prej rreth 980 milion lekësh të vjetra do të lëvrohej më vonë.

Ka qenë denoncimi i një banke të nivelit të dytë që ka vënë në lëvizje prokurorinë pasi Thana rezultonte debitor dhe për këtë shumat e parave nga Ministria e Financave kalonin në llogari të motrës së tij. Po kështu, hetuesit kanë dyshime se ndërmjet mashtrimit, Thana që është arrestuar dhjetorin e kaluar, në vitin 2005 e ka shitur magazinën e ish-drejtorisë së shërbimeve qeveritare që ndodhet në pranë kryeministrisë në Rrugën Mustafa Matohiti tek një tjetër person.