Tiranë – Sot nisin penalizimet për personat që nuk kanë aplikuar për letërnjoftime

Këtë e ka bërë të ditur zëvëndësministri i brëndshëm Ferdinand Poni gjatë një konference për shtyp në bazë të vendimit të caktuar nga qeveria ndërkohë që ka njoftuar se prioritet në aplikime do të mbeten shtetasit që nuk kanë pasaportë. Sipas Ponit procesi po ecën normalisht dhe nëse do të ketë 15 mijë deri në 16 mijë aplikime në ditë, deri në 31 maj do të kenë marrë karta identiteti të gjithë shtetasit pa pasaportë. Në bazë të vendimit të qeverisë nga dita e sotme nuk do të mund të marrin rrogat të gjithë punonjësit që punojnë në administratë apo në agjenci dhe ente të tjera shtetërore, qendrore dhe vendore. Nga ky vendim preken të gjithë pensionistët në fshat dhe në qytet të cilët nuk do të mund të marrin pensionet. Studentët nuk mund të regjistrohen në provimet e fundvitit, si dhe për vitin e ri akademik, ndërsa për qytetarët që duan të pajisen me pasaportë për jashtë vendi nuk do të mund të marrin dokumentin nëse nuk kanë blerë kuponin e aplikimit. Por ndërsa ditën e sotme ka hyrë në fuqi penalizimet e parashikuara me vendim të Këshillit të Ministrave në një prej mbledhjeve të ardhshme të qeverisë pritet të zyrtarizohet marrëveshja mes PD-së e PS-së për të ulur çmimin e kartave në 200 lekë për të gjithë qytetarët që nuk kanë pasaportë si dhe hartimin e skemës për shlyerjen e pagesës së mbetur prej 1 mijë lekësh nga kjo kategori pas 28 qershorit. Zv. Ministri i Brëndshëm Ferdinand Poni deklaroi gjithashtu se numri i qytetarëve që i janë drejtuar qendrave të aplikimit për tu pajisur me karta identiteti janë 707491 persona, mbi 280 mijë prej të cilëve janë pa pasaporta.

Advertisement