Tiranë | Roli i Policisë së Shtetit në zgjedhjet e përgjithshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me 6 vota pro dhe 1 kundër pr/vendimin që përcakton detyrat e Policisë së Shtetit dhe forcave të ushtrisë në zgjedhjet e 23 qershorit. KQZ diskutoi një ndryshim në udhëzimin e KQZ-së të vitit 2009 që lidhet me detyrat e strukturave të rendit në zgjedhje, dhe konkretisht nenin 7 të tij, që bën fjalë për veprimet e komisionit të qendrave të votimit, kur rrezikohet rendi, dhe lejimin e punonjësit të Policisë për t’u futur në ambjentet e qendrës së votimit. “Kur në QV rrezikohet rendi ose zhvillimi i rregullt i votimit, KQV-ja vendos pezullimin e votimit dhe thërret menjëherë organet e Policisë së Shtetit dhe KZAZ-në. Sapo forcat e policisë paraqiten në qendrën e votimit, KQV-ja u dorëzon atyre menjëherë, përpara ndërhyrjes, vendimin për thirrjen e policisë”, përcaktohet në nenet e vendimit të miratuar sot. Akti më pas parashikon që me rivendosjen e rendit në qendrën e votimit, KQV-ja u kërkon organeve të Policisë së Shtetit të largohen nga QV dhe merr masat për rifillimin e menjëhershëm të votimit. Ky fakt pasqyrohet në procesverbalin e rifillimit të votimit, thuhet në nenin 7 të ndryshuar të këtij akti.

Advertisement