Tiranë | Rama: vendi po përballet me shurdhërinë e qeverisë

rama

Duke folur në mbledhjen e grupit të PS, Rama theksoi se vendi ndodhet në një krizë të trefishtë prandaj qeveria duhet të dëgjojë, pasi shurdhëria nuk shëron plagë, por është kosto. “Qeveria nuk duhet të hapë gojën për të treguar përralla. Ata që janë në borë janë edhe socialistë edhe demokratë dhe përpjekja për t`i ndihmuar duhet të jetë e përbashkët. Ne jemi gati ta bëjmë pjesën tonë, por ajo që bëjmë ne nuk ka sesi të mjaftojë” ka theksuar Rama. Rama gjithashtu theksoi se vendi po përballet me shurdhërinë e qeverisë prandaj kërkohet ndërhyrja urgjente e Kuvendit. “Vendi përballet me koston e trefishtë të shurdhërisë: izolim nga dëbora të dhjetra familjeve, krizës energjitike në çdo shtëpi dhe përmbytjet e radhës që me këtë borë masive janë të pashmangshme. Duhet të ndërhyjë urgjentisht parlamenti e të imponojë masa financiare nga qeveria. Situata nuk kapërcehet më 400 mijë dollarë” ka shtuar kryesocialisti. Ai ka shtuar më tej se Partia Socialiste do të bëjë publik nesër një plan për 3 krizat që prekën e do prekin Shqipërinë ndërsa shtoi se ky do të mbrohet të enjten në parlament nga deputetët. “Planin do e mbrojmë në seancën e së enjtes, si një plan që duhet adaptuar menjëherë, i hapur për kontributin e palës tjetër, megjithëse ia imponon ligji i emergjencës. Nuk është orë për politizime të panevojshme, por nuk mund të mos ngrihet zëri për shkeljet e hapura të ligjit për emergjencat civile nga ana e qeverisë. Qeveria duhet t’i japë pushtetit vendor atë që i takon në mënyrë që ta luajë rolin si i takon, ligji e parashikon përgjegjësinë e qeverisë, për parashikim, programim, parandalim, për të cilat nuk ka bërë asgjë” shtoi Rama. Ai shprehur mirënjohje për deputetët e majtë por edhe ata të mazhorancës që kanë qëndruar pranë njerëzve dhe kanë ndihmuar njerëzit. “Kjo nuk është orë për politizime të panevojshme. Ligji i emergjencës civile përcakton qartë detyrën e qeverisë. Por, ekzekutivi nuk ka bërë asgjë sipas ligjit. E kotë të kërkosh përgjegjësinë të prefektët që kanë ngritur duart lart. Kriza nuk do mbarojë as me borën dhe as me përmbytjet. Plagët që janë hapur duan një plan kurimi të posacëm. Ky cikël që pësëritet çdo vit duhet të ndërpritet”, shtoi më tej Rama.

Advertisement