Tiranë – Qeveria kërkon largimin e ambasadores së misionit vëzhgues të ODIHR

Qeveria ka kërkuar largimin e zonjës Glover, për shkak se ajo ka qënë shefe e ODIHR-it, gjatë zgjedhjeve të vitit 1996. Raporti i atëhershëm i organizatës, nuk i dha note kaluese atij procesi elektoral të dhunshëm. Për këtë arsye, mazhoranca thotë se zonja Glover është subjektive ndaj saj. Këshilli i Bashkimit Europian është i shqetësuar nga tentativat e deritanishme të qeverisë për të mospranuar kreun e misionit vëzhgues të ODIHR-it, Audrey Glover. Edhe pse nuk ka patur një kërkesë zyrtare të qartë për këtë cështje nga autoritetet shqiptare, diplomatët europianë vërejnë me shqetësim sjelljen e qeverisë ndaj ambasadores britanike Glover, e cila mori këtë detyrë një javë më parë. “Shprehim shqetësimin tonë pas informatave se autoritetet shqiptare kanë bërë përpjekje për zëvëndësimin e kreut të misionit të emëruar nga ODIHR”, shpjegoi një zyrtar i lartë i BE-së, duke argumentuar se të tilla emërime bëhen gjithnjë pa pyetur vëndin pritës dhe as ndonjë organizatë tjetër. “Emërimi i ambasadores Glover është i prerë dhe ky parim mbështetet nga BE. Nëse ajo do të zëvëndësohej, atëherë cdo vënd tjetër do të kërkonte të emëronte misionet vëzhguese”, tha ai. Po kështu diplomati europian tregoi se ambasadorja Glover nuk është pritur nga kryeministri Berisha dhe nga ministri i Jashtëm Basha, të cilët kanë kërkuar praninë e këtij misioni në Shqipëri. Diplomati europian tha se “kundërshtimi i autoriteteve shqiptare për shkak se ambasadorja Glover ka qënë në krye të ODIHR-it në vitin 1996, kohë kur kjo organizatë vlerësoi se zgjedhjet në Shqipëri ishin manipuluar, përbën sinjal negativ për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të qershorit”. Duke marrë parasysh rëndësinë e raportit të vëzhguesve, zyrtari i BE-së shpjegoi se “një raport kritik rrezikon përgjigjen pozitive të BE-së ndaj aplikimit të Shqipërisë për statusin e kandidatit, por edhe aspiratat e vendit për drejtimin e OSBE-së në vitin 2012”. Këshilli Europian po vëzhgon nga afër situatën dhe në ditët në vijim pritet të reagojë dhe në formë zyrtare nëse qëndrimi i autoriteteve shqiptare nuk ndryshon.

Advertisement