Tiranë – PS krijon Bordin Ekonomik

Këtë fakt e ka komunikuar kryesocialisti Edi Rama gjatë një konference të posaçme, duke pohuar se ky bord do të hetojë treguesit realë ekonomikë dhe ecurinë e vërtetë të rritjes ekonomike në vend dhe jo asaj, që sipas tij, paraqitet nga qeveria. “Shifrat zyrtare janë pjesë e një mashtrimi publik, çështje shumë e mprehtë me të cilën ne do të merremi gjatë ditëve në vijim”, deklaroi në fjalën e tij Rama. Sipas tij, përdorimi i buxhetit në mënyrë të dyshimtë dhe aspak transparente nga ana e institucioneve qeveritare lë të kuptosh se jemi në krizë, megjithëse kjo nuk pranohet aspak prej drejtuesve të tyre. “Gjendja e sipërmarrjes shumë e vështirë, me pengesa të jashtëzakonshme”, vuri në dukje më tej kreu i Partisë Socialiste. E pikërisht, “për të studiuar edhe rrethin vicioz në të cilin është futur realisht ekonomia e vendit”, ai tha se është ngritur edhe Bordi Ekonomik në PS. “Situata ekonomike është mjaft shqetësuese, me tregues fiskalë mjaft emergjentë. Ndërsa tkurrja e rritjes ekonomike është një indikativ mjaft i dukshëm”, tha Rama në fund të fjalës së tij, duke argumentuar në këtë mënyrë rëndësinë e këtij procesi.

Advertisement