Tiranë | Prokuroria kërkon 17 vite burg për Nazime Vishën

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 17 vjet burg për Nazime Vishën, akuzuar për vrasjen e Fiqiri Muçës, në gusht të 2012-ës. Në seancën e sotme, në kërkesën e prokurorisë për masën e dënimit, akuza përsëriti faktin se ajo ka vrarë me paramendim 45-vjeçarin, ndërkohë që akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje. Seanca e radhës do të jetë në datën 29 prill, në të cilën do të jetë fjala e mbrojtjes për të dhënë konkluzionet. Vetë e akuzuara e ka pranuar krimin, duke thënë se e ka bërë për vetëmbrojtje, pasi ai tentonte ta rrëmbente. Me anë të një vendimi të marrë pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës vendosi që të procedojë me gjyq të shkurtuar 18 vjeçaren Visha, pas kërkesës së bërë prej palës mbrojtëse për procedimin e saj me këtë formë gjykimi, kështu që sot i erdhi radha akuzës të formuloj kërkesën e saj, ndërsa pas dy javësh do të jetë mbrojtja që do të ngrejë alibinë e saj për të kërkuar reduktimin e dënimit, apo lirimin e të pandehurës. 18 vjeçarja Nazime Visha akuzohet si autore e vrasjes me armë zjarri të shtetasit Fiqiri Muca, me të cilin ajo pretendohet se kishte patur një lidhje intime.

Advertisement