“Kërkojmë fillimin e procedimit penal kundër shtetases Jozefina Topalli, për kryerjen e veprave penale të fyerjes për shkak të detyrës, shpifjes për shkak të detyrës, të kryera botërisht, në dëm të shumë personave” theksohet në kallëzimin penal. Akuzat që PDK ka ngritur në drejtim të policisë së shtetit dhe kryetares së Parlamentit janë për fyerje e shpifje për shkak të detyrës si dhe thirrje për urrejtje nacionale. “Shtetasja e kallëzuar, me dashje, me veprime aktive, ka fyer dhe shpifur botërisht, në dëm të disa personave, për shkak të detyrës, më tepër se një herë, subjekte anëtarë të Partisë Demokristiane të Shqipërisë. Gjithashtu, thirrja për urrejtje nacionale është konsumuar në ambiente publike dhe në pjesëmarrje të qindra mijëra personave. Fyerjet dhe shpifjet, thirrjet për urrejtje nacionale janë përdorur për të arritur qëllime personale, duke shfrytëzuar mundësitë për shkak të cilësive publike që ajo gëzon” theksjonë demokristianët duke i bashkangjitur kallëzimit penal edhe kaseta filmike e gazeta të cilat vërtetojnë pretendimet e tyre. Për sa i përket padisë ndaj policisë së shtetit . PDK pretendon se policia ka kryer veprime të kundërligjshme si shpërdorim i detyrës i kryer në bashkëpunim dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës duke ju referuar vrasjes së disa ditëve më parë të kreut të PDK-së për Malësinë e Madhe, Aleks Keka. “Shtetasit e kallëzuar, me dashje, me veprime aktive, kanë krijuar dhe kanë përdorur të dhëna të rreme mbi një ngjarje kriminale, si dhe për personalitetin e viktimës” thuhet në kërkesë padinë e demokristianëve.