Tiranë – PD: Rama tu kërkojë falje qytetarëve

Zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj tha sot se kreu i PS-së doli kundër një projekti që do të sjellë shkurtimin e kohës për udhëtimin mes dy qyteteve. “Ju kujtojmë vetëm ditën e Enjte, grupi parlamentar i Partisë Socialiste u urdhërua të votojë kundër tunelit dhe autostradës që lidh Tiranën me Elbasanin, dhe që shkurton me rreth 70% kohën midis këtyre 2 qyteteve dhe që madje do të kursejë për çdo qytetar të zonave nga Skrapari, Korça, Leskoviku, Gramshi etj, pothuaj një orë në udhëtimin e tyre drejt Tiranës”, tha zëdhënësja e PD. Në deklaratën e PD theksohet dhe qëndrimi që ka mbajtur për vizat dhe për integrimin e vendit Partia Socialiste. “Z. Rama ju dhe grupi juaj parlamentar përpara se të shpalosni strategjinë e krizës tuaj personale e të mblidhni protestat tuaja antivizë, kërkoni falje për antizhvillimin që ju e vulosni me votën tuaj kundër tunelit dhe autostradës që do t’i japë qytetarëve shqiptarë jo vetëm lehtësim të lëvizjeve të tyre, por edhe zhvillim të zonave ku jetojnë e punojnë”, thuhet në deklaratën e PD. Nga ana tjetër PD-ja akuzuar kreun e PS-së dhe për shpenzimet që bën për veshje. “Partia Demokratike i kërkon këtij bllokmeni të mos qeshë, por të paktën të skuqet kur shfaqet përpara të pranishmëve duke demonstruar shtrenjtësinë e pardesysë së tij Brioni, apo edhe këpucëve që i mbajnë sheikët e naftës e bosët e narkotikëve”, thuhet në deklaratën e PD.

Advertisement