Tiranë – Nishani, Rama po shkel autonominë vendore

“Zoti Rama, po shkel rëndë në mënyrë të përsëritur ligjin për organizimin dhe funksionimin e Bashkisë së Tiranës, që përcakton statusin dhe të drejtat e minibashkive në Tiranë”, deklaroi deputeti i PD-së, për zonën e Kombinatit, Bujar Nishani. Sipas Nishanit, Rama refuzon prej kohësh të zbatojë vendimet e përsëritura të Këshillit Bashkiak të Tiranës sa i përket respektimit të të drejtave administrative të minibashkive të kryeqytetit. Deputeti i PD-së, theksoi se “Dhunimi i parimeve bazë të decentralizimit të pushtetit vendor nga ana e kryetarit të Bashkisë së Tiranës ka bllokuar të gjitha zhvillimet ekonomike dhe sociale në të gjitha këto minibashki. Deputeti Nishani vijoi më tej duke thënë se “Refuzimi i vazhdueshëm i zotit Rama për të respektuar ligjin, është një rast i qartë i standardeve të dyfishta të sjelljes politike të tij”. Deputeti i PD-së, Nishani tha në këtë takim me banorë të kombinatit se “Rama duhet t’u tregojë qytetarëve të Tiranës se është për respektimin e ligjit; për autonominë vendore, dhe se punon për decentralizimin e pushtetit vendor duke lejuar përdorimin e kompetencave që ligji i jep minibashkive”.

Advertisement