Tiranë | Meta: drejtësi maksimale për vjedhjen në bankë

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u shpreh në mbështetje të organeve të drejtësisë për të dhënë një dënim maksimal për punonjësit e Bankës së Shqipërisë që vodhën thesarin e saj.

Kjo ngjarje, theksoi ai, po ashtu nuk mund të cënojë rolin e Bankës së Shqipërisë si një faktor shumë i rëndësishëm, siç ka qënë deri tani, për stabilitetin makroekonomik dhe financiar të vendit dhe kjo jam i bindur, shtoi ai, do të vazhdojë më tej në të ardhmen. Po ashtu, kryeparlamentari nënvizoi se kjo ngjarje nuk duhet të përdoret për të dëmtuar reputacionin e Bankës Qendrore, pasi kjo vjedhje, tha ai, tashmë është identifikuar dhe denoncuar nga vetë institucioni bankar dhe drejtuesit e tij në Prokurorinë e Përgjithshme. “Jam i sigurtë se do të nxirren dhe përgjegjësitë, ashtu sikuse duhet të nxisim drejtësinë për të dhënë dënimin maksimal që askujt të mos i shkojë më mendja për të kryer veprime të tiilla”, u shpreh Meta. Banka e Shqipërisë njoftoi dje se sasia e parave të vjedhura nga thesari saj arrin në rreth 713 milion lekë ose afërsisht 7 milion dollarë. Për këtë ngjarje, për të cilën ka nisur dhe një hetim i prokurorisë, komisioni parlamentar i Ekonomisë, thirri sot Guvernatorin e Bankës Ardian Fullani për të raportuar mbi këtë ngjarje të rëndë.

Advertisement