Tiranë – Kryeparlamentarja Topalli takohet me përfaqësues të Bundestag

Të ardhur në Shqipëri në kuadër të bashkëpunimit me Universitetin prestigjioz të Humbold-it nën patronazhin e Kryetarit të Bundetagut, anëtarët e delegacionit gjerman falënderuan Kryetaren e Kuvendit për angazhimin e saj në këtë projekt të rëndësishëm që i jep mundësi studentëve shqiptarë të kryejnë praktikën në Bundestagun gjerman e më pas të vijnë e të japin përvojën e tyre në Shqipëri. Kryetarja e Kuvendit i bëri urimet më të mira edhe për zgjedhjet e zhvilluara në Gjermani, duke shprehur bindjen në intensifikimin e bashkëpunimit mes dy parlamenteve por edhe mes dy vendeve. Duke u ndalur në situatën politike në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit theksoi se Shqipëria, tashmë anëtare e NATO-s, ka paraqitur kërkesën për statusin e vendit kandidat në BE dhe zgjedhjet e fundit u çertifikuan nga vëzhguesit ndërkombëtar si zgjedhje që arritën standardet kryesore të OSBE-ODIHR. Kryetarja e Kuvendit theksoi edhe një herë se pjesëmarrja e opozitës në parlament është shumë e rëndësishme për reformat në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Anëtarja e Bundestagut, Vetzel tha se edhe në Gjermani jo të gjithë kanë dalë fitues nga zgjedhjet dhe sigurisht ka të pakënaqur nga rezultati, por ajo që nuk mund të diskutohet është shmangia nga prania e tyre në parlament. Vetzel shprehu besimin se opozita do të jetë së shpejti në parlament për të realizuar reformat që përshpejtojnë rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.