Tiranë | Kryeministri Berisha: rritje e pagave me 10% për mbi 200 mijë punonjës

berisha-mbledhje-qeverie-

Kryeministri Sali Berisha theksoi gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se revolucioni fiskal nuk ka të ndalur. Kësaj radhe, shtoi Kryeministri, “konsiston në rritjen në 10% të rrogave të mbi 200 mijë punonjësve në sektorin privat me rrogë nën 30 mijë lekë dhe përafërsisht 15 mijë punonjës në sektorin publik me rrogë nën 30 mijë lekë”. Sipas Kryeministrit, kjo është mbështetja direkte më e fuqishme që qeveria shqiptare u ka dhënë punonjësve të sektorit privat ndonjëherë. “Gjatë këtyre 7 viteve, në përputhje me programin tonë, kemi rritur në mënyrën më të fuqishme rrogat dhe pensionet e sektorit publik. Kjo ka bërë që rroga mesatare, nga 24 mijë lekë të reja të shkojë në 57 mijë lekë”, tha Berisha. Sipas kreut të qeverisë, “me rritjen e rrogave të sektorit publik kemi ndikuar fuqishëm, pasi kemi udhëhequr këtë politikë në të gjithë vendin, çka do të thotë se politika e ndjekur në sektorin publik është ndjekur në mënyrë të pashmangshme dhe nga sektori privat”. “Me këtë vendim, me të cilin së shpejti do të shkojmë në Kuvend ne si qeveri realizojmë një rritje 10 % të rrogave të punonjësve të sektorit privat dhe publik. Në sektorin privat deri tani janë 200 mijë dhe kjo rritje është rritje prej 10%. Është 1.2 rroga në vit. Kjo rritje është rritja më e madhe që këta punonjës kanë njohur në tërë jetën e tyre me këto sipërmarrje”, tha Berisha. Kjo rritje, shtoi Kryeministri, konsolidon më tej taksën e sheshtë. “Nuk ka diskutim se taksa e sheshtë është taksa më optimale, por gjithnjë si çdo model, edhe modeli ynë ultra-liberal, ka nevojë për përmirësimet e tij, ka nevojë për reformimin e tij të vazhdueshëm. Po të mos ishte taksa e sheshtë nuk do mund të imagjinohej vendimi që do të merret së shpejti nga kjo qeveri”, u shpreh Berisha. Sipas Kryeministrit, “me rritjen 10 % të rrogave të vendit, ne gjithashtu ngushtojmë me 10 % më shumë diferencën e rrogave që e kemi gjetur çnjerëzore dhe të papranueshme”. Berisha gjithashtu reagoi ndaj atyre, të cilët sulmojnë taksën e sheshtë. “Ata të cilët sulmojnë taksën e sheshtë e sulmojnë kryekëput nga pozita spekulative. Pretendimi se ajo është e njëjtë për të gjithë është mashtrimi më i paskrupullt. Ajo është e njëjtë si përqindje, por është e ndyshme në vlerë, aq sa ndryshojnë rrogat nga njëra tjetra, të ardhurat nga njëra tjera. Në mënyrën më të përsëritur, politikat që kanë synuar të zgjidhin problemin e të varfërve, duke shkatërruar të pasurit, kanë falimentuar totalisht. Ato janë politika që bazohen mbi instiktet e errëta të njeriut, të zilisë për atë që ka dhe janë politika që janë elaboruar, apo kanë dalë në Shqipëri nga arkivat e Partisë së Punës së Shqipërië siç ishte rasti i taksës Koleka, që gazetarët investigativë i gjetën në arkiva”, tha Kryeministri.

Advertisement