Tiranë – Kryeministri Berisha, rishkrim të tekstit të historisë

“Jam për shkrimin me objektivitet të historisë sepse me rishkrimin e saj do të zbardhen shumë të vërteta. Unë s’jam historian por garantoj se me rishkrimin e tekstit, fëmijët do të kenë një histori tjetër”, tha Berisha. Kryeministri nuk ka lënë pa ironizuar dhe deklaratat e opozitës, sipas tij të bërë nga “çunat” e bllokut. “Akoma sot pas 20 vitesh, në mendje të këtyre njerëzve funksionon skema e Enver Hoxhës që dhe diellin dhe hënën e lidhin me njëshin, harrojnë se janë në demokraci”, tha Berisha. Kryeministri u prononcua dhe për enciklopedinë maqedonase. Berisha konfirmoi premtimin e presidentit maqedonas Gjorge Ivanov për shqyrtimin e këtij konflikti ndërsa e ka cilësuar enciklopedinë një doktrinë raciste. Më pas Berisha iu përgjigj pyetjeve për vendimin e opozitës për të vazhduar bojkotin në parlament. Kryeministri theksoi se në çdo vend të zhvilluar, ka një arbitër që vëzhgon zgjedhjet dhe për vendin tonë, doli një raport që i vlerësoi ato pozitive. Nga ana e tij, kryeministri ka përsëritur ftesën e bashkëpunimit me opozitën për të realizuar reformat e nisura me qëllim integrimin e vendit në BE. “Opozita duhet të jetë në lartësinë e idealeve. Unë e garantoj atë se do të dëgjohet zëri i saj për reformat. Do ketë garancinë time maksimale. Opozita i ka vendet gati në Kuvend”, tha Berisha.

Advertisement