Tiranë | Inaugurohet shkolla profesionale në Kamëz, kryeministri premton rritje të pagave për mësuesit

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot, në inaugurimin e shkollës së mesme profesionale në Kamëz, financim në kuadër të projektit IPA, të Bashkimit Europian dhe qeverisë shqiptare me vlerë rreth 1 milion e 100 mijë euro. “Shkollë lider që operon me laboratorët më modern, me një kurrikul të shkëlqyer dhe u përgjigjet nevojave të tregut”, tha Berisha, duke shtuar se, “për qeverinë në 4 vitet që vijnë rritja profesionale e këtyre shkollave do të jetë prioritet. “Po punohet ngushtë me shkollat profesionale gjermane, dhe gradualisht këtu do jetë rreth 25 degë të saj për 25 fusha të tregut. Për qeverinë shqiptare arsimi është përparësia e të gjitha përparësive. Këto vite kemi bërë përpjekje të mëdha, që të vendosim arsimin si pëparësinë tonën kryesore, të bindur se ky është kushti që Shqipëria të ketë të ardhmen që meriton”, tha Berisha. Sipas Kryeministrit, “në një hark kohor të shkurtër rrogat e mësuesve do të dëgjojnë rritjen më të madhe. Rroga e mësuesit do të jetë mbi 700 dollarë. Mësuesit e Shqipërisë do të paguehen më mirë se disa vende anëtare të BE. Ne sëbashku këto vite kemi ndërtuar e rindërtuar 1300 shkolla në mbarë vendin. Vetëm në Kamëz kemi ndërtuar 10 shkolla 9 vjeçare, 3 shkolla të mesme të përgjithshme, 2 shkolla të mëdha profesionale dhe 8 kopshte”. Duke folur mbi investimet në Kamëz, Kryeministri u shpreh se, “përveç shkollave dhe kopshteve kemi ndërtuar e rindërtuar 80 kilometra rrugë. Do të nisim biznese të shumëllojta. Numëohen 1880 biznese sot në Kamëz, nga vetëm 600 që kishte 7 vite më parë. Bashkia ka nisur një projekt të një pallati sporti më moderni në Shqipëri”. Godina e re e shkollës profesionale në Kamëz është ndërtuar në një sipërfaqe rreth 3400 m2, e standarteve europiane me rreth 24 klasa, laboratorë të kimisë, fizikës, biologjisë, IT-së, laboratorëve të specialitetit dhe palestër. Shkolla ofron 9 drejtime kryesore: Teknologji Informacioni dhe Komunikimi; Hoteleri – Turizëm; Shërbime Mjete Transporti; Bujqësi; Shërbime Sociale dhe Shëndetësore; Teknologji ushqimore; Ekonomi biznes; Administrim zyre; Ekonomi bujqësore.

Advertisement