Tiranë – ILDKP kërkon gjobitjen e dy anëtarëve të KRRT

ILDKP njoftoi se ka zhvilluar një hetim administrativ dhe ka verifikuar se dy anëtarët e KRRT-së së Tiranës, “në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr.9367, dt.7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike, kanë marrë pjesë në votimin për dhënie leje ndërtimi për një studio projektimi e një studio ndërtimi, në të cilat gjenden në pozitat e administratorit dhe të drejtuesit teknik familjarë të tyre”. ILDKP kishte filluar më datë 07.04.2009 hetimin administrativ për konflikt interesi lidhur me procedurat e vendimmarrjes së mbledhjes së datës 22 mars 2009 të KRRT-së së Bashkisë Tiranë mbi bazën e kërkesës së Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Po ashtu, thuhet në njoftimin e ILDKP-së, bazuar në vendimin e Kuvendit të Shqipërisë “Për miratimin e Raportit Përfundimtar të Komisionit Hetimor për hetimin e praktikave dhe procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës”, si edhe nga informacionet e të dhënat mediatike, ILDKP, më datë 22.05.2009 ka filluar hetimin administrativ për konflikt interesi në lidhje me procedurat e vendimmarrjes në mbledhjen e datës 17.04.2009 të KRRT-së së Bashkisë Tiranë. “Në bazë të analizës ligjore lidhur me procedurat e vendimmarrjes në mbledhjet e datës 22.03.2009 dhe datës 17.04.2009 të KRRT së Bashkisë Tiranë, si edhe të deklarimeve të bëra nga dy anëtarët e KRRT-së në ILDKP, u arrit në përfundimin se abstenimi në votimin e kërkesave për leje ndërtimi, i anëtarëve që kanë pasur një interes privat direkt ose indirekt në çështjet e kaluara për votim, nuk e ka zgjidhur konfliktin e interesave”, thuhet në njoftim. Nga përfundimi i hetimit rreth pjesëmarrjes së dy anëtarëve të KRRT-së, Alban Ethimi dhe Arben Biçoku, sipas ILDKP-së “përbën konflikt interesi dhe kërkon të merren masa administrative “gjobë” ndaj dy anëtarëve të KRRT së Bashkisë së Tiranës, që nuk kanë zgjidhur konfliktin e interesave në mënyrën e duhur ligjore, në zbatim të nenit 44/1/dh të ligjit nr.9367, datë 07.04.2005″.

Advertisement