Tiranë | ILDKP kallëzim penal ndaj dy gjyqtarëve dhe një ambasadori

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë kallëzon penalisht tre shtetas, Ambasadorin Agim Isaku, Gjyqtarin Ken Dhima dhe Gjyqtaren Klorinda Çela. Sipas burimeve nga ILDKP-ja mësohet se kallëzimi penal i dorëzuar në gjykatën e Tiranës ndaj shtetasit Agim Isaku, me funksion Ambasador, bazohet në ligjin për kontrollin e pasurisë dhe mbart akuzën e fshehjes së pasurisë. Konkretisht pas kontrollit të ushtruar në dokumentacionin e dhënë nga shtetasi në fjalë, ILDKP dyshon se, subjekti Agim Isaku ka konsumuar elementët e veprës penale të “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive te personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi që ka detyrim ligjor për deklarim”, dhe ndaj tij u depozitua kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme, si dhe njoftua Ministri i Jashtëm për shkeljet e konstatuara dhe Drejtoria e Përgjithshme Parandalimit të Pastrimit të Parave. Një nga provat e gjetura në dëm të shtetasit Isaku është, fshehje e transaksionit dhe burimit të krijimit të shumës për blerjen e apartamentit me sipërfaqe 268m2 dhe çmim 147.000 euro, me adresë në rrugën e Elbasanit, Tiranë. ILDKP ka depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal ndaj shtetasit Keni Dhima, me profesion gjyqtar, ku sipas njoftimit mësohet se ky shtetas nga analiza e të gjithë dokumentacionit të administruar në ILDKP, lidhur me deklarimin e interesave private të subjektit Ken Dhima dhe korrespondencave të institucioneve publike dhe bankare dyshohet se ky shtetas ka konsumuar veprën penale të “Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi që ka detyrim ligjor për deklarim”, dhe ndaj tij u depozitua kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme, njoftim Ministrit të Drejtësisë për shkeljet e konstatuara dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Një nga shkeljet e konstatuara ndaj tij deklarim i rremë i vlerës së këstit të parë të paguar për blerjen e apartamentit në favor të shoqërisë ndërtuese në shumën prej 2.770.000 lekë. Po ashtu mungesa e burimit të krijimit të depozitës prej 1.050.000 lekë nga subjekti, përdorur për blerjen e apartamentit, si dhe deklarim i rremë për huamarrjen nga shtetasi A.Ç. të shumës prej 2.000.000 lekë për blerjen e apartamentit në Rr.”Don Bosko”. Huamarrja është e pashlyer deri në vitin 2011, megjithëse sipas kontratës me këtë shtetas, afati përfundimtar i shlyerjes është 20.06.2010..etj. Së fundmi ILKDP-ja ka ngritur kallëzim penal edhe ndaj shtetases Klorinda Çela, me profesion gjyqtare. Edhe ndaj Çelës rëndon akuza e “Fshehjes ose deklarimit të rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi që ka detyrim ligjor për deklarim dhe ndaj saj u depozitua kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme, njoftim Ministrit të Drejtësisë për shkeljet e konstatuara dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit te Pastrimit te Parave. Sipas njoftimit nga ky institucion mësohet se nga analiza e të gjithë dokumentacionit të administruar në ILDKPKI, lidhur me deklarimin e interesave private të subjektit Klorinda Çela dhe korrespondencave të institucioneve publike dhe bankare rezulton se shtetasja Çela ka dhënë deklarim të rremë të vlerës së këstit të parë të paguar për blerjen e apartamentit në favor të shoqërisë ndërtuese në shumën prej 2.770.000 lekë. Po ashtu është vënë re mungesa e burimit të krijimit të depozitës në Tirana Bank në shumën prej 719.800 lekë nga subjekti, përdorur për blerjen e apartamentit, apo deklarim i rremë për huamarrjen nga shtetasi A.Ç. të shumës 2.000.000 lekë për blerjen e apartamentit në Rr.”Don Bosco”. Huamarrja është e pashlyer deri në viti 2011, megjithëse sipas kontratës me këtë shtetas, afati përfundimtar i shlyerjes është 20.06.2010…etj.

Advertisement