Tiranë | Hipotekim i 36 objekteve të ndërtuara me shkelje

Bashkia e Tiranës i hap rrugë hipotekimit të 36 objekteve të para, të ndërtuara gjatë viteve 2001-2008, me shkelje të lejes së ndërtimit. Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, në prani të kryetarit të Shoqatës së Ndërtuesve të Tiranës, z. Avenir Kika dhe kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, z. Nikolin Jaka ka firmosur lejet e përdorimit për 2 mijë apartamente me përfitues direkt 8 mijë qytetarë të Tiranës. Kryebashkiaku Basha ka garantuar edhe njëherë për vendosmërinë tij, në përfundimin sa më parë të procesit të hipotekimit, duke bërë në këtë mënyrë pronarë të shtëpive të tyre, qytetarët e Tiranës. “Procesi është një shenjë e qartë e vullnetit, për t’i shkuar deri në fund premtimit që qytetarët e Tiranës të mos mbeten peng i papërgjegjshmërisë, nga njëra anë e ndërtuesve që ndërtuan duke shkelur kushtet e lejes dhe nga ana tjetër natyrisht përgjegjësisë së pashmangshme të pushtetit vendor, për të kontrolluar dhe disiplinuar punimet gjatë fazës së punimeve. Kam kënaqësinë që sot, afro katër javë pas miratimit të këtij akti normativ nga qeveria, të cilin po ashtu pashë që u miratua në Parlament me vullnet të plotë, ne të dorëzojmë pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Tiranës 36 objekte që përfaqësojnë afro 2000 apartamente, pra afro 8000 banorë të kryeqytetit, që nga dita e sotme mund të ndjekin procedurat përfundimtare pranë ZRPP së Tiranës, për t’u pajisur me tapitë e shtëpive të tyre” – u shpreh Basha. Akti normativ i hap rrugën hipotekimit të afro 260 objekteve me 11 mijë apartamente të ndërtuara me leje por leje të shkelura gjatë procesit të ndërtimit. Përfundimi i këtij procesi bën pronarë të shtëpive të tyre rreth 50 000 qytetarë të Tiranës. Kryebashkiaku Basha ka nënvizuar vështirësinë e hasur për 100 objekte, ndërtuesit e të cilëve sot nuk kanë marrë asnjë përgjegjësi për mbylljen e këtij procesi. Kryetari i Bashkisë bëri të ditur se ka gjetur mirëkuptimin e Shoqatës së Ndërtuesve dhe Dhomës së Tregtisë, që anëtarët e tyre të marrin përsipër kolaudimin e këtyre objekteve, në mënyrë që të mos penalizohen qytetarët. Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka informuar edhe mbi ecurinë e deritanishme të procesit të hipotekimit. Janë 120 objekte të hipotekuara, një pjesë e madhe e të cilëve për vite me radhë nuk ishin pajisur me dokumentacionin e nevojshëm për hipotekim nga Bashkia dhe 59 objekte të pajisura rishtas me leje përdorimi.

Advertisement