Tiranë – Delegacioni i PE takohet me kryeministrin Berisha

Në delegacion merrnin pjesë eurodeputetë nga vende të ndryshme të BE-së, përfshirë dhe reporterja në Parlamentin Evropian për liberalizimin e vizave znj. Tanja Fajon. Berisha u shprehu europarlamentarëve mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe të vazhdueshme që deputetët e Parlamentit Evropian dhe në veçanti Delegacionit për Evropën Juglindore i kanë dhënë Shqipërisë në projektin madhor të integrimit në Bashkimin Evropian, si edhe për liberalizimin e vizave. Eurodeputeti Kukan e falënderoi përzemërsisht Kryeministrit Berisha për pritjen e ngrohtë. Kukan vlerësoi “rezultatet jashtëzakonisht pozitive të arritura nga Shqipëria gjatë kësaj periudhe në drejtim të përmbushjes së kritereve dhe standardeve të integrimit evropian, si dhe për sa i përket përmbushjes së kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”. Zoti Kukan i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Parlamentit Evropian ndaj përpjekjeve të qeverisë për të arritur sa më shpejtë heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. “Ne si deputetë të Parlamentit Evropian do të vazhdojmë të ngremë zërin lart në favor të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë sa më shpejt”, u shpreh Kukan. Në këtë kontekst, zoti Kukan vlerësoi plotësimin e kërkesave të udhërrëfyesit nga ana e qeverisë shqiptare, të cilat janë vlerësuar edhe nga misionet e ekspertëve të Bashkimit Evropian. Berisha shfrytëzoi rastin për t’i paraqitur eurodeputetëve rezultatet e punës përgatitore të qeverisë në kuadër të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. “Tashmë Shqipëria ka një kontroll të plotë të integruar të kufijve” u shpreh Kryeministri. Më tej, ai theksoi se të 24 pikat e kalimit kufitar janë unifikuar në sistemin TIMS, i cili funksionon me efikasitet dhe është i ndërlidhur edhe me Interpol-in. Ky sistem kontrolli, u shpreh Kryeministri, funksionon mbi parimin one – stop – shop dhe janë krijuar modelet për e-visa dhe e-lejet e qëndrimit. Ndërkohë, Berisha u shpreh se është miratuar legjislacioni i nevojshëm për kontrollin dhe survejimin e kufirit, si dhe ai për azilin në përputhje me standardet evropiane dhe është vënë në funksion të plotë kontrolli i hapësirës detare me radarë. Shqipëria, theksoi Kryeministri, ka nënshkruar gjithashtu marrëveshjen e ripranimit me të gjitha vendet e BE-së. Kryeministri Berisha i bëri me dije europarlamentarëve masat e rëndësishme legjislative të miratuara gjatë kësaj periudhe nga qeveria shqiptare dhe Kuvendi, si ligji antimafia, shtyrja e afatit për moratoriumin për skafet, etj. Eurodeputeti Kukan iu përgjigj se europarlamentarët gjatë vizitës së tyre kanë pasur rastin të vizitojnë dhe ta konstatojnë drejtpërsëdrejti funksionimin efikas të të gjithë sistemeve për kontrollin e integruar të kufirit dhe infrastrukturës tjetër të lidhur me çështjet e migracionit në institucionet shqiptare, si dhe shprehu vlerësimin e grupit të eurodeputetëve se kërkesat teknike të udhërrëfyesit janë plotësuar tashmë nga qeveria shqiptare. Berisha i informoi në vijim europarlamentarët për reformat dhe arritjet e rëndësishme gjatë kësaj periudhe në luftën me tolerancë zero kundër krimit, trafiqeve dhe korrupsionit. Ne këtë kontekst, Kryeministri theksoi se Shqipëria është një ndër vendet e rralla në botë ku të gjitha prokurimet kryen në formë elektronike dhe on-line, ku janë hequr 2/3 e licencave e lejeve, ku përditë po thjeshtëzohen e dixhitalizohen procedurat duke u bazuar në parimet one-stop-shop, për të evituar praktikat korruptive e abuzive dhe ku vijon lufta me tolerance zero ndaj çdo praktike korruptive. Vetëm në periudhën shator 2009 – shkurt 2010 janë arrestuar rreth 55 zyrtarë me akuzën e korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës. Duke i vlerësuar procesin e liberalizmit të vizave në veçanti dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian në përgjithësi si një shtysë shumë e fuqishme për reforma të thella dhe të gjithanshme dhe për modernizimin e zhvillimin e mëtejshëm të vendit, Kryeministri Berisha u shprehu eurodeputetëve vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të ndërmarrë çdo reformë, miratuar çdo masë dhe paguar çdo çmim që këto procese të përmbyllen me sukses sa më parë. Më tej, Kryeministri i informoi europarlamentarët për punën e jashtëzakonshme dhe intensive të bërë nga qeveria shqiptare gjatë kësaj periudhe për përmbledhjen, përgatitjen, sistemimin dhe përkthimin e përgjigjeve të pyetësorit të Bashkimit Evropian, të cilat së shpejti do t’i dorëzohen Komisionit Evropian.

Advertisement